Faqja Kryesore  >> Letersi  >> E Pavaresise  >> Migjeni
 

Migjeni

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

Ju ndodheni ketu E Pavarësisë

 
 

   Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Gjergj Fishta

 
 

  Fan Noli

 
 

  Faik Konica

 
 

Ju po shikoni kete autor Migjeni

 
 

  Lasgush Poradeci

 
 

  Mitrush Kuteli

 
 

  Nonda Bulka

 
 

  Haki Stërmilli

 


 

Poezia e Migjenit

Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet '30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat për të ardhmen.
Vëllimin e tij "Vargjet e lira" (1936) Migjeni e hapte me vjershën "Parathënia e parathënieve" ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu: "Përditë prendojnë Zotat", Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t'u përulet më "idhujve".
Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: "Kangët e ringjalljes", "Kangët e mjerimit", "Kangët e perëndimit", "Kangët më vete", "Kangët e rinisë" dhe "Kangët e fundit".
Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e "Njeriut të Ri", prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës. Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e "Njeriut", i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re:

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)

poeti është i bindur se asgjë s'mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë, që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

Për identifikimin e figurës Diell ka pasur disa përpjekje për ta zbërthyer e konkretizuar. Por ato vetëm se e kanë vulgarizuar perceptimin poetik të poetit. Mjafton të mbetemi në simbolikën e tij dhe ajo thtë gjithçka. Ai ia ndien rezatimin botës së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund të gjallërojë, të zgjojë të rilindë gjithçka që qëndon ende e ndrojtur, e përgjumur në errësirë. Thirrja që Migjeni i drejtonte Rinisë, në këtë vjershë ishte kuptimplotë, optimiste dhe tepër e ngrohtë, intime dhe romantike:

Thueja, kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu Rini! Qeshu! Bota asht'e jote!

Cikli i dytë i "Vargjeve të lira" nis me "Poemën e mjerimit", kryevepër poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore. Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën. Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s'arrit ta ndryshojë këtë pamje tragjike, megjithë lutjet e mëshirat mijëvjeçare. Pas kësaj poeti konkludon:

Mjerimi s'do mëshirë, por don vetëm të drejtë!

I gjithë cikli pavarësisht nga dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit, koha do të dijë t'i qetësojë.
Në këtë cikël poeti na jep për herë të parë me shumë art figurën e punëtorit që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë, duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.
Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore të asaj shoqërie që pjell mjerimin. Në ciklin e tretë "Kangët e prendimit", Migjeni, sjell pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën ekonomike përpiqen t'i mbulojnë me pseudoart, me vepra e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë të shtëllungave të tymit e të avujve, të djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij cikli poeti sjell imazhin e një bote sonambul që po rrëshqet drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës. Kjo botë e zhytur në mjergull ende s'po e kupton se po i pregatisin një tragjedi të re. Për t'u orientuar në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga bota punëtore e uzinave me thirrjen poetike:

Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,

Si vazhdim i këtij mendimi poetik, autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën "Kangë më vete" ku ai sjell më konkret imazhin e luftës së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin, që po hyn si hajn edhe në Ballkan.
Menjëherë pas kësaj vjen cikli "Kangët e Rinisë", që së bashku me ciklin "Kangët e fundit" janë më intime, më shprehës të shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve të tij.
Te "Kangët e rinisë" bën pjesë vjersha "Ekstazë pranverore", që së bashku me këngët e ringjalljes dhe "Sonet Pranveror", janë krijimet më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i triunfit të një bote të re, që do të jetë gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë poeti t'a shijojë këtë pranverë? Parandjenja e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që, ndoshta, s'ka për ta parë këtë botë të re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën e pesimizmit.
Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi.
Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.
Në disa vjersha "Rezignata", "Trajtat e mbinjeriut" etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë. Ai është një figurë, që merr përsipër të udhëheqë masat drejt një bote të re, ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i turbullt dhe lë shteg për t'u interpretuar në mënyra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët, optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për të renë, për të bukurën.


1911 - 1938

Jeta dhe Vepra

Poezia e Migjenit
Poezi

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003