Problematika, që trajtoi Migjeni
në tregimet e në skicat, ishte ajo që
trajtohej në publiçistikën dhe në
prozën përparimtare të kohës.
Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella
dhe përgjithësimet e mëdha të
Migjenit, në krijimet me një nivel shumë
të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i
realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet
"A don qymyr zotni?", "Studenti në
shtëpi", "Të çelën
arkapijat", "Historia e njenës nga
ato", "Qershijat", "Bukën
tonë të përditshme falna sot",
në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe
qytetit shqiptar në problemet më thelbësore
dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah
poezisë së tij më të mirë.
Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë
sonë të së kaluarës që u
shfaq me të njëjtën forcë artistike
si në poezi ashtu edhe në prozën e
shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë
shqiptare motivohet për herë të parë
plotësisht në art problemi i shkatërrimit
të personalitetit të njeriut në kushtet
e një shoqërie despotike. Në tregimet
e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij
rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore
kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore
e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit
e vuajtjeve të shumta të jetës së
shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë
ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit,
nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër
kanë marrë fund në luftën për
ekzistencë në vështirësinë
për t'i siguruar fëmijës një copë
bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen
se përderisa të mos përmbyseshin idhujt
e jetës së vjetër, gjithçka,
në jetën e qytetit dhe të fshatit do
të mbetej në gjendjen ekzistuese, në
mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij
mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi,
kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin,
që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky
qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një
kundërvënie edhe ndaj krijimeve të
autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet
një konflikti të fuqishëm, dramatik.
Në këtë prozë kemi një ekuilibrim
ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve
dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror
të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim
për ata njerëz, që e shkonin jetën
në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët
e vërtetë të kësaj gjendjeje ai
derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi
vesin në prozën e tij si dukuri të
një jete që brehej nga kontradiktat e thella
dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti
të sjellë në letërsinë tonë
përgjithësime të rëndësishme
ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është
punëtori i papunë, malësori që
i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet
kokrrës së misrit, nëna që mallëkon
pjellën e vet e që detyrohet të shesë
vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta
patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat,
shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin
e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme
të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave
të saj.
Personazhet e tij janë tipizme të plota
të një shtrese të caktuar të shoqërisë
së kohës. Ai nuk i përshkruan ato,
por i krijon me anë të zbërthimeve
të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve.
Personazheve të tilla si malësorja ("A
don qymyr zotni"), Nushi dhe Agla ("Studenti
në shtëpi"), ose Bakalli ("Të
çelen arkapijet") e Kola ("Bukën
tonë të përditshme falna sot"),
janë dhënë me forcë të rrallë
artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë
në prozë të Migjenit e zënë
skica dhe fejtoni. Në këto krijime të
rëndësishme realiteti është pasqyruar
me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike.
Në prozën satirike të tij Migjeni herë
kalon në trajtim konkret të problemit të
mjerimit, papunësisë, të mohimit të
mëshirës kristiane e artit për art.
( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme,
Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të
dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda
e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në
trajtim të përgjithshëm në formën
e një eseje filozofike të problemeve të
dinjitetit të njeriut, të së ardhmes
së vendit, të ushtrimit të dhunës
për të mposhtur personalitetin e njeriut
të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr
i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë
abisine, Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie
etj.
Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq,
me gjithë shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë
depërton me art në kuptimin e kësaj
të vërtete. Në skicat migjeniane ka
një galeri të tërë portretesh.
Shumë autorë të brezit të tij
e trajtuan me mjeshtëri skicën dhe prozën
satirike, por tek asnjë ajo nuk është
aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike
sa te Migjeni. Në prozën e tij Migjeni e
mohon realitetin e kohës, gjithçka të
keqe, pa mohuar mundësinë e përmirësimit
të saj. Ai mohon shfrytëzimin, luftën
imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin
e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund
anët e shëmtuara të jetës, por
jo jetën. Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin,
cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet
gjithmonë e re. Tregimi i tij karakterizohet
nga sinteza e mendimit, shqetësimi qytetar dhe
psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te
skicat ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon
idenë me anë të të një monologu
dramatik të fuqishëm, i cili nis gjithnjë
me ironi dhe përfundon me sarkazëm dhe revoltë.
Ky monolog u përdor edhe nga autorë të
tjerë të viteve '30, sidomos Nonda Bulka,
po te Migjeni ai është më i natyrshëm
e më i thellë.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë
midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma
origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma
therëse e sidomos monologu dramatik, bëhen
te skicat shprehëse të konflikteve të
rëndësishme shoqërore e politike të
kohës. Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete
të realizuara, është vështirë
t'i dallosh nga tregimi.
Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato
të Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë
adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh
pakënaqësinë për realitetin ekzistues
dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka
të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit,
por përpiqet ta riparojë atë dhe të
harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën
dhe të tashmen në emër të së
ardhmes, të cilën kërkon t'ia rrëmbejë
me forcë kohës.
Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë
e një poeti, që shpërthen me një
protestë nga më të fuqishmet e letërsisë
sonë të traditës. Ndaj, ndërsa
Kuteli është një prozator i shquar,
i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator
i kulturuar, Migjeni është novator. Ai vështroi
thellë në shoqërinë e kohës
dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar
rreptë, në emër të një të
ardhmeje më të bukur, pavarësisht se
ajo na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në
prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit
kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë
të parë në prozë shohim thelbin
tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar
arriti nivelin ideoartistik dhe shumllojshmërinë
problematike të poezisë sonë. Tregimi
i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë
një periudhë pjekurie të letërsisë
sonë, sepse individi filloi të vështrohej
gjithnjë e më gjerë në një
raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.