Pikëpamjet e reja politike e
shoqërore, konceptet e përpunuara mbi natyrën
e shoqërisë, mbi njeriun dhe artin, krahas
artit të tij të ri revolucionar, e bëjnë
Migjenin figurën më të madhe të
brezit të ri të viteve '30 dhe një
nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë.
Me krijimtarinë e tij novatore letërsia
jonë kaloi përfundimisht nga romantizmi
ne realizmin kritik. Migjeni si në poezi edhe
në prozë pasqyroi me realizëm të
thellë shoqërinë shqiptare të
kohës, jetën e shtresave më të
vogla të qytetit dhe fshatit, iu kundërvu
deri në mohim rendit në fuqi, akuzoi fashizmin,
stigmatizoi klerin, artin zyrtar dhe arriti të
japë një tablo realiste të viteve '30
.
Në krijimtarinë e tij, për herë
të parë përftohen figura dhe portrete
të plota e shumë të fuqishme të
malësorit e punëtorit, të gruas shqiptare
e cila ishte viktimë e një shfrytëzimi
të dyfishtë.
Revolta e hapur, vuajtjet e thella, dhe optimizmi
janë tipare karaktristike të poezisë
së tij, e cila shquhet për konceptimin dhe
sistemin origjinal të figuracionit. Kurse në
prozë ai u shfaq si mjeshtër i portretizmit
dhe i dhënies së psikologjisë së
tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë
shtresa e klasa të ndryshme. Si në poezi
dhe në prozë, ai solli një satirë
shoqërore e politike të fuqishme. Në
poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën pa
subjekt me varg të lirë, që shquhet
për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ,
ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria. Në
prozë ai lëvroi tregimin psikologjik, skicën,
prozën satirike, që shquhet për tipat,
portretet, dialogun, monologun, ritmin e veprimit,
mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.