Neni 42
Në përfundim të kursit të plotë
të studimeve, studentët kanë të
drejtë të diplomohen për të fituar
titullin përkatës profesional. Diplomimi
bëhet:
a) me mbrojtjen e një teme diplomë,
b) me provim formimi profesional.
Departamentet përkatëse, brenda një
muaji nga dita e fillimit të vitit shkollor,
u bëjnë të njohur studentëve të
vitit të fundit programet e provimeve të
formimit dhe temat e diplomës. Departamentet
përcaktojnë studentët që mbrojnë
diplomën me provim formimi apo me temë diplome
mbështetur në mundësitë e tij,
dëshirën e studentëve dhe rezultatet
e tyre.
Neni 43
Caktimi i specialisteve që do të udhëheqin
punën e temave të diplomës, bëhet
nga Departamenti përkatës. Rregullat e tjera
që kanë të bëjnë me mbrojtjen
e diplomës, përcaktohen nga rregulloret
e fakulteteve.
Neni 44
Mbrojtja e temes së diplomës ose provimi
i formimit bëhet në dy sesione: i veres
dhe i dimrit, të cilët përcaktohen
nga dekanati i Fakultetit.
Kandidati diplomant i cili rrëzohet në sesionin
e parë të mbrojtjes së diplomës,
ka të drejtë të riparaqitet për
mbrojtje në sesionin e ardhshëm. Ndërkohë,
kandidati diplomant paiset nga Dekanati me titullin
"specialist i lartë i padiplomuar",
me një dëshmi ku shënohen edhe notat
e lëndëve të likuiduara.
Neni 45
Studenti që ka plotësuar të gjitha
kërkesat e planit mësimor dhe ka mbrojtur
diplomën (me temë diplomë ose provim
formimi), paiset me diplomën përkatëse,
të shoqëruar me fletën e notave të
fituara gjatë viteve të studimeve.
Diploma plotësohet me shkrim, qartë e me
boje teknike dhe nënshkruhet nga Kryetari i Komisionit
të provimeve të formimit, Dekani i Fakultetit
dhe Rektori i Universitetit të Tiranës.
Për secilin prej tyre shënohet emri, mbiemri,
grada dhe titulli shkencor. Nënshkrimet e tyre
vërtetohen me vulën e Universitetit të
Tiranës.
Neni 46
Tërheqja e diplomës bëhet personalisht
nga i diplomuari, kundrejt nënshkrimit dhe evidentohet
në regjistrin përkatës. Nëse prania
e të diplomuarit është objektivisht
e pamundur, tërheqjen e diplomës mund ta
bëje një nga pjestarët e familjes,
i paisur me prokurë të posaçme, duke
paraqitur dhe leternjoftimin e tij.
Nëse diploma nuk është plotesuar në
rregull, i interesuari duhet të mos e tërheqë
atë dhe te kërkojë paisjen me diplomë
të rregullt. Nëse i interesuari e tërheq
diplomën e parregullt, ne rast se i humbet origjinali
ose i dëmtohet ai duke iu bërë i papërdorshëm,
Universiteti nuk lëshon dublikate. Lejohet vetëm
dhënia e listës se notave të fituara
dhe vërtetimi me fotografi i cili është
ekuivalent me diplomën, pasi nënshkruhet
nga Rektori i Universitetit, Dekani i Fakultetit dhe
Kryesekretari i tij. Nënshkrimet e tyre vërtetohen
me vulën e Universitetit të Tiranës.
Neni 47
Dorëzimi i diplomave bëhet me ceremoni në
të cilën marrin pjesë autoritete të
Fakultetit dhe përfaqësues të Rektoratit.
Për studentet që kanë përfunduar
studimet me të gjitha notat dhjeta, jepet Certifikata
"Medalje e Arte".
Për studentët që, gjatë studimeve,
kanë marrë mbi 80% te notave 10(dhjeta)
dhe pjesën tjetër vetëm 9(nenta), jepet
Certifikata "Student i Shkëlqyer".