Faqja Kryesore  >> Universitet  >> Universiteti i Tiranes  >> Rregullorja e Universitetit
 

Ligjet mbi Arsimin e Lartë

   
   
   
   
   
   
   
 

 



Universitete
të Tjera

   
   
   
   
   


 

Kontrolli i Dijes

Provimi
Neni 26
Studenti fiton të drejtën të futet në provimin e një lënde, kur ka shlyer detyrimet vjetore që lidhen me atë lëndë, të parashikuara për shlyerje në planin mësimor. Proçesverbali i shlyerjes së këtyre detyrimeve plotësohet nga pedagogu në përfundim të procesit mësimor, para sesionit të provimeve dhe dorëzohet në sekretarinë mësimore.
Emrat e studentëve që kanë fituar të drejtën për të hyrë në provimin e lëndës, paraqiten në Fletën e Provimit. Ajo plotësohet me emra dhe mbyllet nga sekretaria mësimore, nënshkruhet nga Dekani ose Zëvendësdekani përkundrejt nënshkrimit të sekretarisë dhe mban vulën e Fakultetit. Fleta e Provimit i dorëzohet komisionit të provimit ditën e provimit. Me përfundimin e provimit, kryetari i komisionit e dorëzon atë në sekretari.
Në asnjë rast Fleta e Provimit nuk duhet të ketë koregjime dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë emra në të. Marrjet në dorëzim të saj bëhen me firmë.

Neni 27
Provimet e riprovimet zhvillohen brenda afatit të caktuar në strukturën e vitit akademik, miratuar nga Këshilli i Fakultetit. Datat e tyre propozohen nga Departamenti, miratohen nga dekanati dhe shpallen jo më vonë se dy javë para fillimit të sesionit.

Neni 28
Provimet zhvillohen në orën e datën e caktuar. Në rast pamundësie të jashtëzakonshme të zhvillimit të provimit ditën e caktuar, Dekani, me urdhër me shkrim, e anullon e cakton një datë të mëvonshme e cila u bëhet e njohur studentëve.
Studentët merren në provimin e kursit nga dy vetë: titullari i lëndës dhe asistenti përkatës të cilët kanë zhvilluar lëndën. Nëse lënda nuk ka patur asistent, Përgjegjësi i Departamentit cakton një asistent të një disipline të afërt. Nëse titullari i lëndës ose asistenti i tij, për arsye madhore nuk mund të marrin pjesë në provim, Përgjegjësi i Departamentit cakton, me shkrim, punonjësit që do t'i zëvendësojnë.
Provimet me shkrim bëhen të sekretuar.
Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm, qofshin dhe antarë të personelit universitar, me përjashtim të drejtuesit të Departamentit, të Fakultetit e persona të tjerë të autorizuar me shkrim nga Dekani ose Rektori per të kryer kontroll.

Neni 29
Studenti, në sistemin me ose pa shkëputje nga puna, nuk lejohet të hyjë për të dyten herë në provimin e një lënde, brenda një sesioni. Studenti nuk mund të hyjë në të njëjtën ditë në dy provime në lëndë të ndryshme.
Studenti paraqitet në provim me dokument identifikimi me fotografi.

Riprovimet dhe Mbartja
Neni 30
Studenti i sistemit me shkëputje nga puna ka të drejtë të hyjë në sesionin e vjeshtës (sesioni i riprovimeve) kur ka jo më shumë se katër detyrime mësimore të pashlyera; në këtë numur përfshihen dhe detyrimet e mbartura.
Nëse detyrimet e mbartura nuk shlyhen, studenti shpallet përsëritës për vitin mësimor që ndjek. Studenti bursist humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit.
Studenti në sistemin me shkëputje nga puna shpallet përsëritës kur mbas përfundimit të sesionit të vjeshtës, mbetet në më shumë se dy detyrime mësimore.
Në çdo vit mësimor studenti ka të drejtë të mbartë deri dy detyrime dhe të provohet për to deri në dy herë në vitin pasardhës. Herën e parë, para sesionit të provimeve të dimrit, në kohën e përcaktuar në strukturën e vitit mësimor; herën e dytë, lejohet vetëm në sesionin e riprovimeve.
Studenti në sistemin pa shkëputje nga puna është i detyruar që, në vitin pasardhës, të shlyejë paraprakisht detyrimet e mbetura; mbas kësaj, i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek.

Neni 31
Studenti i vitit të fundit që, në përfundim të provimeve të kursit, rezulton me deri tri detyrime të palikuiduara, ka të drejtë t'i likuidoje ato në një periudhë të caktuar nga Dekanati, përpara sesionit të provimit të shtetit.
Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në provimin e formimit ose në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së këtyre detyrimeve në sesionin e riprovimeve (të vjeshtës), ndërsa diplomimi bëhet në sesionin e dimrit.
Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të verës rezultojnë me më shumë se tre detyrime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor.
Në çdo fund sesioni, Dekanati shpall studentët përsëritës dhe ata të përjashtuar.

Neni 32
Studentët që lëvizin në kuadrin e projekteve e programeve ndërkombëtare në të cilat Universiteti i Tiranës merr pjesë, lirohen nga detyrimet e frekuentimit parashikuar nga neni 21. Atyre u njihen provimet e dhëna jashtë shtetit për lëndët e ngjashme dhe kur kthehen në atdhe, duhet të shlyejnë detyrimet për lëndët e tjera.

Praktikat Profesionale
Neni 33
Studentët e sistemit me shkëputje nga puna kanë të detyrueshme kryerjen e praktikës profesionale, kur ajo perfshihet në planet mësimore. Me fillimin e vitit akademik, Dekanati u komunikon studentëve kohën e kryerjes dhe programin e saj.
Studenti që nuk realizon programin e praktikës profesionale, i nënshtrohet rregullave të vendosura si për të gjitha detyrimet e tjera.

Neni 34
Praktikat profesionale zhvillohen në institucione sipas profilit të përgatitjes së studentit dhe nën drejtimin e pedagogut të caktuar nga Departamenti përkatës.
Studenti detyrohet të respektojë rregullat e institucionit ku kryen këtë proçes.

Neni 35
Gjatë kryerjes së praktikës profesionale, punonjësi mësimor që e drejton atë, ushtron kontroll të vazhdueshëm dhe mban lidhje me qendrën ku ajo kryhet.
Në përfundim të praktikës profesionale, studenti përgatit një relacion për punën e kryer e cila vlerësohet nga pedagogu që e drejton praktikën, pasi merr edhe mendimin e qendrës ku është kryer ajo. Vlerësimi bëhet me notë.

Transferimet, ndërrimi i sistemit të studimeve
Neni 36
Universiteti i Tiranes pranon transferime studentësh në vite të ndërmjetme nga universitete të tjera, në të njëjtën degë e sistem dhe lejon largimin e studentëve të tij për në universtitete të tjera, sipas proçedurave të parashikuara në këtë Rregullore.
Proçedurat transferuese përfundojnë një muaj para fillimit të vitit akademik.

Neni 37
Studentët e Universitetit të Tiranës të cilët duan të transferohen në universitete të tjera të vendit, në të njëjtën degë dhe sistem, paraqesin kërkesën në Dekanatin e Fakultetit ku kryejnë studimet; Dekanati shqyrton kërkesat dhe, nëse e gjykon të arsyeshme, ia përcjell Rektoratit i cili, pasi merr vendimin miratues, u përcjell propozimet universiteteve përkatëse.
Pas përgjigjes së pranimit nga universiteti pritës, përcillet dokumentacioni i plotë i studentit: detyrimet e shlyera me notat përkatëse, dëftesa e shkollës së mesme, dokumentacioni i bursës etj.

Neni 38
Për studentët e universiteteve të tjera që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, propozimi vjen nga Rektorati i Universitetit përcjellës, i shoqëruar me të dhënat të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, çertifikate e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.
Vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim, e merr Rektorati , pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, duke patur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës (deri në 5% të numurit të pranimeve të reja të vitit) si dhe rezultatin e ekuivalentimit, duke respektuar nenin 30 të kësaj Rregulloreje.

Neni 39
Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, komisioni i ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që dërgon universiteti përkatës, përcakton detyrimet që do të ketë studenti, nëse pranohet në atë degë, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë.

Neni 40
Kalimi nga sistemi me shkëputje nga puna, në sistemin pa shkëputje nga puna, bëhet me vendim të Rektoratit, me propozim të Dekanatit, mbi bazën e kërkesës së studentit të interesuar, pasi ai të ketë përfunduar vitin e parë.
Kalimi nga sistemi pa shkëputje nga puna në atë me shkëputje nga puna bëhet me vendim të Rektoratit, me propozim të Dekanatit, mbi bazën e kërkesës së studentit të interesuar, për studentet që kanë mbaruar vitin e parë ose të dytë dhe që kanë mesatare të notës së studimeve mbi 8,5.
Në të dy rastet e kalimeve të përmendura më sipër, duhet të mos cënohet numëri i kuotave të studentëve në kurset përkatëse, i caktuar nga Qeveria dhe MASH.

Neni 41
Nuk lejohet, për çfarëdo arsye qoftë, ndërrimi i degës së studimeve.
Studenti që fiton me konkurs një degë të dytë në të njëjtin sistem studimi, duhet të çrregjistrohet me parë nga dega ku është, pastaj të regjistrohet në degën e fituar, në këtë rast ai i nënshtrohet detyrimit të pagesës, ndaj shtetit, të kostos së shkollimit të tij në degën paraardhëse, sipas përcaktimeve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.



Ligjet mbi Arsimin e Lartë


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003