Neni 21
Shkollat e larta publike janë institucione buxhetore.
Ato financohen nga buxheti i shtetit sipas ligjit
nr.8379, datë 29.07.1998 "Për hartimin
dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën
e Shqipërisë" dhe sipas akteve nënligjore
në zbatim të tij. Buxheti i çdo shkolle
të lartë është zë më
vete në buxhetin për arsimin.
Fakultetet, në rastin kur plotësojnë
standardet e caktuara nga Ministria e Arsimit dhe
Shkencës dhe Ministria e Financave, kanë
llogari më vete.
Neni 22
Shkolla e lartë e detajon buxhetin sipas rektoratit,
fakulteteve, departamenteve osë njësive
të tjera të përcaktuara në nenin
12. Të gjitha këto njësi janë
autonome në administrimin e këtij buxheti,
në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.
Për të gjitha njësitë, veprimet
e llogarisë kryhen nëpërmjet administratës
së shkollës së lartë, përveç
rasteve kur njësitë kanë llogari më
vete.
Neni 23
Fondet për kërkimin shkencor përcaktohen
si zë më vete në buxhetin e çdo
shkolle të lartë. Këto fonde administrohen
nga shkolla e lartë në formë pagese
për normën shkencore, si dhe pajisjen e
laboratorëve apo për shpenzime të tjera
të lidhura me veprimtarine shkencore.
Neni 24
Shkollat e larta, në përputhje me aktet
ligjore e nënligjore në fuqi, krijojnë
dhe përdorin të ardhurat që realizojnë
gjatë veprimtarisë së tyre.
Tarifat e shkollimit për shkollat e larta publike
miratohen me vendim të Këshillit të
Ministrave dhe përdoren nga shkollat e larta,
pasi shtyhen detyrimet ndaj shtetit në masen
jo më shumë se 10 për qind.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës kryen kontrollin
dhe revizionin ekonomiko-financiar të shkollave
të larta publike, në përputhje me legjislacionin
përkatës.
Arsimimi në shkollat e larta ushtarake ose të
policisë është falas.
Arsimimi i ushtarakëve në shkollat e larta
civile, me ose pa shkëputje nga puna, është
pjesë e arsimimit të tyre të plotë,
që kryhet në përputhje me kriteret
e përcaktuara në nenin 31 i këtij ligji
dhe garantohet falas nga shteti.
Neni 25
Ministria e Arsimit dhe Shkencës miraton strukturën
orientuese të administratës së shkollave
të larta në të gjitha nivelet.
Personat përgjegjës për mbarëvajtjen
administrative dhe ekonomike të shkollës
së lartë janë kancelari i shkollës
së lartë dhe kancelarët e fakulteteve,
të cilët janë specialistë me formim
të lartë ekonomik dhe me përvojë
menaxhuese.
Kancelari i shkollës së lartë publike
universitare apo jouniversitare propozohet, përkatësisht
nga rektori ose drejtori dhe emërohet nga Ministri
i Arsimit dhe Shkencës. Kancelari i fakultetit
propozohet nga dekani dhe emërohet nga rektori.
Detyrat dhe kompetencat e kancelarëve përcaktohen
në statutin e shkollës së lartë.