Bashkë me një varg veprash
të tjera, "Ura me tri harqe" bën
pjesë në një cikël romanesh e
novelash, që Kadare i ka shkruar me një
qëllim të qartë për të krijuar
imazhin e një "Shqipërie tjetër",
e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet
me sy, një Shqipëri me princa, kontë,
dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të
ditur, prelatë të shkolluar, që gati
ishin të përjashtuar nga letërsia si
figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi
për të shprehur hapur mendimin e tij mbi
zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor,
përpiqet t'ua tregojë këtë lexuesve
duke gjetur në traditën e "Shqipërisë
tjetër" atë fazë të historisë
kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në
një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut.
Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë
fakti i njohur se balada shqiptare është
e vetmja në Ballkan që bën fjalë
për një murim kryesisht në kështjellë.
Ai është i vetëdijshëm se kjo
është kushtëzuar nga rrethanat kritike
historike që kanë shoqëruar fatin e
popullit të tij. Eshtë e vështirë
që një popull vazhdimisht në rrudhje
të vendosë pëlqimin e urës para
kështjellës. Kjo, ndoshta, është
një nga dilemat më tronditëse që
kanë përjetuar shqiptarët. Ura është
për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht
edhe e frikshme, sepse "në urë kalon
i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku". Rreziku
i ekspansionit, që mund ta kthejë urën
e Ujanës së Keqe në një kuçedër,
ndihet në gjithë romanin, si një kontekst
historik i domosdoshëm për të treguar
se edhe në "Shqipërinë tjetër"
marrja e vendimit ka qenë e vështirë.
Sikurse në rrjedhat e historisë, edhe në
këngë, populli i ka ngritur urat, duke u
kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë
që kanë fryrë erëra paqeje dhe
miqësie. Por shumë shpesh është
mbyllur në kështjella, madje me tri-katër
rrethime, pikërisht për shkak të erërave
të frikshme që i kanë zënë
vendin paqes. Këto ndërrime lidhen jo me
gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike.
"Shtatqin vjet do t'i djeg kullat", i kërcënohet
një prej heronjve kreshnikë të eposit
shqiptar kundërshtarit të vet.
Në veprën e Kadaresë dilema midis urës
dhe kështjellës është po aq tronditëse
sa në vetë historinë e popullit. Në
formën më të pjekur artistike kjo dilemë
shprehet në romanet "Kështjella"
dhe "Ura me tri harqe". Në një
farë mënyre ato janë vazhdim i njëri--tjetrit.
Ai që krijoi kështjellën e qendresës
në kushtet e darës së armiqësisë
nuk mund t'i lejonte vetes të mbetej pa urë
i ndarë dhe i vetmuar nga bota. Këtë
ide Kadare e arriti duke krijuar "Urën me
tri harqe", vështruar në shumicën
e rasteve si një çmitizim i legjendës.