Në hotel "Dajti" gjenerali
e ndjeu veten mirë. Ai shkoi në dhomën
e tij dhe ndërroi uniformën. Pastaj zbriti
në holl dhe porositi një bisedim telefonik
me shtëpinë.
Gjenerali, prifti dhe tre shqipëtarët u
ulën në një tavolinë. Ata biseduan
për gjëra të ndryshme dhe të parëndësishme.
U shmangeshin bisedave politlke dhe shoqërore.
Gjenerali ishte shumë serioz dhe i sjellshëm.
Prifti fliste pak. Gjenerali dha të kuptonte
se ai ishte kryesori, megjithëse prifti fliste
më pak. Ai foli për traditat e bukura që
ka krijuar njerëzimi në lidhje me varrimin
e ushtarëve. Përmendi grekët e trojanët,
që varrosnin njerëzit me aq madhështi
në pushimet midis luftërave. Ai ishte shumë
entuziast për misionin e tij. Do ta kryente shumë
mirë këtë mision të rëndë
dhe të shenjtë. Mijëra nëna prisnin
bijtë e tyre. Ato kishin njëzet e ca vjet
që prisnin. është e vërtetë
se kjo pritje ndryshonte pak nga ajo pritja tjetër,
kur ato shpresonin, t'u ktheheshin të gjallë
bijtë e tyre, por, sidoqoftë, edhe të
vdekurit priten. Ai do t'u çonte nënave
eshtrat e bijve të tyre, që gjeneralët
budallenj nuk ditën të udhëhiqnin në
luftë. Ai ishte krenar për këtë.
Ai do të bënte çmos.
- Zoti gjeneral, telefoni... Gjenerali u ngrit plot
gjallëri. - Më falni, zotërinj. - Me
hapa të gjatë dhe madhështorë
shkoi në portinerinë e hotelit.
Po aq madhështor u kthye. Shkëlqente i
tëri. Në tryezë pinin konjak dhe kafe.
Biseda ishte më e ngrohtë. Gjenerali përsëri
dha të kuptohej se ai ishte kryesori në
këtë mision, sepse prifti, megjithëse
kishte gradën kolonel, në këtë
rast ishte vetëm një përfaqësues
shpirtëror. Ai ishte kryesori dhe mund të
hapte çfarë bisede që të donte:
për konjakët, kryeqytetet, cigaret. E ndiente
veten shumë mirë në këtë
sallon hoteli, me këto perde të rënda,
me këtë muzikë të huaj, bile,
më tepër se të huaj. Ai u habit dhe
vetë nga i erdhi kështu papritur kjo dashuri
për konfortin, për të gjitha objektet
që shikonte rreth e rrotull në sallonin
e hotelit, duke filluar nga kolltukët e rehatshëm
e gjer te zhurma e këndshme që bënte
makina e ekspresit të kafes. Më tepër
se dashuri, ndoshta ishte një ndjenjë malli
e parakohshme për diçka që e ndiente
se do ta braktiste për një kohë të
gjatë.
Gjenerali ishte i gëzuar. Shumë i gëzuar.
As vetë nuk e dinte përse i erdhi kjo valë
gëzimi e papritur. Ky ishte gëzimi i udhëtarit
që gjen një strehë pas një udhe
të rrezikshme në mot të keq. Ajo gota
e vogël e verdhë e konjakut nisi t'i dëbonte
përherë e më shumë pamjen e irnosur
e kërcënuese të maleve, që edhe
tani në tavolinë e shqetësonte herë
pas here. "Si një shpend krenar i vetmuar...
" Befas e ndjeu veten tepër të fuqishëm.
Trupat e dhjetëra mijëra ushtarëve,
të futur në tokë, pritën kaq vjet
ardhjen e tij dhe ja, ai erdhi që t'i ngrinte
ara nga balta dhe t'ua kthente prindërve dhe
të afërmve. Ai erdhi si një Krisht
i ri, i pajisur me harta, lista dhe shënime të
pagabueshme. Gjeneralët e tjerë i udhëhoqën
këto kolona të pafundme ushtarësh drejt
disfatave dhe asgjësimit, kurse ai erdhi që
t'ua shkëpuste harrimit dhe vdekjes atë
diçka që kishte mbetur prej tyre. Ai do
të endej varrezë më varrezë, kudo,
mbi ish-fushat e luftëtarëve, me qëlllm
që t'i gjente të gjithë të zhdukurit
dhe të humburit. Në luftën e tij me
baltën nuk do të njihte disfatë, sepse
ai ishte pajisur me forcën magjike të statistikave
të përpikta.
Ai përfaqësonte një vend të madh
e të qytetëruar dhe prandaj puna e tij do
të ishte madhështore. Në punën
e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve
dhe e trojanëve, diçka nga funeralet homerike.
O, si do të mbeteshin me gojë hapur shqiptarët,
që mbanin kaq shumë ombrella në duar.
Gjenerali ktheu edhe një gotë. Dhe që
atë natë e tutje, çdo ditë,
çdo mbrëmje, atje larg në vendin
e tij, të gjitha ata që prisnin, do të
thoshin për të: Ai tani kërkon. Ne
shkojmë nëpër kinema, në restorante,
në kafe, ndërsa ai i bie kryq e tërthor
tokës së huaj dhe kërkon. Kërkon,
hap varre. Oh, punë të rënda ka, por
ai do të dijë t'ia dalë mbanë.
Jo më kot dërguan atë. Zoti e ndihmoftë!