Të nesërmen dy të
dashuruarit ishin të zbehur nga pagjumësia.
Stela vështronte e çuditur syrin e nxirë
të tij dhe asgjë nuk kuptonte. Ato vështrime
plot mall të saj, ai do t'i kujtonte tërë
jetën.
"Jam jotja. Jam jotja!" i përkthente
ai sytë e saj. Ai gjithmonë mundohej t'i
përkthente sytë e saj.
Disa herë i përkthente lehtë, disa
herë me shumë vështirësi. Ajo
nuk mundohej të përkthente sytë e tij.
Edhe ai do të donte të mos ta mundonte enigma
e syve të saj, por nuk mundte.
Në pushim, në sallën e profesorëve
iu afrua Mentori.
-Gjon, ç'ke pësuar kështu?
-Lëre, mos i trego njeriut, siç duket
dy miq të asaj mizerjes, Luiza Angonit... Lavirja!
-Aha, e mora vesh. Epo të shkuara... Dëgjo,
dalim pak jashtë.
Ata dolën në korridorin e ngushtë plot
zhurmë. Gjoni desh një herë t'i tregonte
për Stelën, por pastaj intuita e tij nuk
e lejoi. Kishte frikë mos Mentori ia ftohte me
cinizëm gjithë atë zjarr.
-Dëgjo, - vazhdoi kimisti, - më në
fund më duket se e gjeta formulën e përshtatshme.
Eja sot nga unë të shikosh ca prova. Kam
dy variante letrash, njëra veç e hap pak
bojën speciale. Sidoqoftë...
-Mentor, - ia preu fjalën Gjoni, - më fal
që ju shqetësova dhe ty dhe Eugjenin, por
unë ndërrova mendje.
-Si? Sytë e Mentorit qeshën me habi. - Tallesh?
-Aspak. Puna është se ndërrova mendje.
Ju po deshët bëni ç'të doni.
Unë s'marr pjesë dhe s'marr asnjë përgjegjësi.
-Ç'do bëjmë ne pa ty?
Gjoni lëvizi vetullat me indiferencë.
Ra zilja. Mentori fshiu syzet dhe ndoqi me shprehje
habie hapat e shokut. Eh, botë, o botë!
Edhe Eugjenit nuk i pëlqeu dorëheqja e shokut.
Ai e gjykonte punën thjesht nga besa shqiptare,
që s'duhej kthyer fjala. Sidoqoftë, puna
u ndërpre menjëherë. Eugjeni, duke
sharë e mallkuar, i mbylli në sirtar vjershat
që kishte hartuar nën emrin e Çajupit
dhe u betua që me Gjonin s'do përzihej më.
Mentori, si më i përmbajtur, nuk prishi
asgjë në marrëdhëniet me shokun
dhe as e përmendi më këtë punë,
duke u munduar të zbulojë shkakun e vërtetë
të këtij ndryshimi. Dhe këtë shkak
e mësoi shpejt.
Por miqësia e tyre u lëkund dhe u ftoh shumë.