Faqja Kryesore  >> Letersi  >> Moderne  >> Ismail Kadare
 

Ismail Kadare

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

Ju ndodheni ketu Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Petro Marko

 
 

  Jakov Xoxa

 
 

  Martin Camaj

 
 

  Kasëm Trebeshina

 
 

  Fatos Arapi

 
 

  Dritëro Agolli

 
 

Ju po shikoni kete autor Ismail Kadare

 
 

  Anton Pashku

 
 

  Azem Shkreli

 
 

  Arshi Pipa

 
 

  Esat Mekuli

 
 

  Lluka Perone

 
 

  Vorea Ujko

 
 

  Nazmi Rrahmani

 
 

  Ali Podrimja

 


 

Qyteti pa Reklama (kreu XIV)

-Kanë dy ditë që rrinë gjer natën vonë, seç kanë, zihen, hahen, djem të rinj, - tha nëna e Stelës, duke trazuar prushin e mangallit.
Dy motrat shikuan njëra-tjetrën pa folur. Kur nëna doli jashtë, Diana pyeti:
-Si duket ky mësuesi i ri?
Stela uli sytë.
-Ku di unë?
-Ai është simpatik.
-Mua s'më duket dhe aq. Megjithëse Shpresa e klasës sonë s'e heq nga goja. Si s'ka turp edhe ajo.
-E pse të ketë turp?
-Ua, po për profesorin a mund të...
Diana qeshi me të madhe.
-Sa budallaqe bëhesh moj Stelë, eh... - ajo psherëtiu lehtë, duke ia ngulur sytë motrës. Sa e bukur ishte Stela! Tre vjet më parë, kur Diana iku jashtë shtetit, e la motrën akoma vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare, të hollë, sikur do thyhej. Kurse tani, duke vështruar sytë e saj butësisht të errët, gjinjtë e rrumbullakët, format e belit dhe të këmbëve, qafën e bardhë, të lëmuar, ajo thoshte me vete: Jo s'mund të jetë engjëll Stela. Si i mban gjunjët dhe si vështron. Këto tre vjet ndarjeje e kishin larguar Dianën nga e motra. Pastaj, të dyja kishin ndryshuar shumë. Ja, edhe ajo kur u nis jashtë shtetit ishte sa Stela, veç jo kaq e bukur, megjithatë, simpatike, bile shumë. Ajo atëherë ishte vajzë e paputhur, kurse Stelës i dukej motra e mbështjellur me një vello misterioze, me atë avullin e përshkuar nga reflekset e reklamave të qyteteve të mëdha jashtë shtetit. Sa kishte treguar Diana atë ditë për bulevardet e mëdha, dritat, restorantet, dancingjet. Diana kishte qenë në ato lokale kishte vallëzuar, kishta dalë për krahu me djem. Po sepse i vinte rëndë Stelës që ta pyeste me hollësi.
-Po ti? - ja preu mendimet e motra, - a ke ndonjë djalë?
-Jo, - u përgjigj Stela.
Ato prapë vështruan njëra-tjetrën në sy. Sytë e Dianës shkëlqenin si një dritare kujtimesh, kurse ato të Stelës qenë të menduar, të përshkuar nga kureshtja e jetës që s'e njihte. Sa ishte rritur Stela! Jo, jo, ajo s'ishte aspak engjëll dhe, si për të pohuar këtë mendim të fundit të së motrës, papritur Stela pyeti:
-Po ti Diana ke shëtitur me djem atje?
-Posi.
-Po ke dashuruar?
-Eh, si të them. Ndoshta më është dukur. Po atje s'është si këtu. Çdo vajzë ka shumë djem dhe çdo djalë, gjithashtu. Një herë me njërin, një herë me tjetrin... Prit pak, tani do të të tregoj. - Diana u ngrit tërë gjallëri që, më në fund, gjeti një njeri që mund t'i tregonte jetën jashtë shtetit. Ajo hapi një nga valixhet e saj dhe nxori një çantë të zezë.
-E shikon këtë? Këtu janë telefonat e të njohurve që kam, sipas emrave. Këtu janë shënuar takimet, ja lexo.
Stela u afrua. Ishte një ditar në shkruar në gjuhë të huaj.
-Po ta përkthej. E enjte 14, Roberti në Metro "Orion". E shtunë 16, Viktori përpara kafe "Mjellmës" etj.
Stela nguli sytë mbi ato emra të shkruara pa kujdes dhe seç ndjeu në zemër. Një fletë e vogël dhe sa jetë e madhe. Si ishte vallë ajo metro "Orion" apo kafe "Mjellma"? Sigurisht, atje në metro "Orion" digjeshin drita të çuditshme dhe njerëzit vraponin, vraponin. Dhe atje prisnin djem duke pirë cigare. Ata prisnin vajzat e tyre. Ato pastaj vinin dhe ata hidhnin cigaren poshtë. Përdhe grumbulloheshin shumë cigare. Djemtë gjithmonë pinë cigare kur presin. Për çdo vajzë kishte aq bishta cigaresh për tokë. Pastaj të gjithë iknin dhe përdhe zbardhnin bishtat e cigareve.
-Më trego dhe fotografi.
-Tani.
Diana hapi një çantë tjetër. Një grusht zarfesh e fletësh shkruar në gjuhë të huaja. Pastaj fotografitë. Stela i shikoi me rradhë, duke ndjerë në shpirt një dhembje të fshehtë.
-Sa i bukur ky djali!
-Ah, ky më telefononte gjithmonë në mesnatë. Më zgjonte nga gjumi. Sa budalla!
-Po këtu, ku jeni?
-Në pyll jashtë qytetit. Na la treni elektrik. Atje kaluam natën
Stela vështronte vjedhurazi të motrën. Ajo nuk guxonte të pyeste, por, më në fund, vendosi:
-Diana, po ti... me ndonjërin prej tyre ke pasur marrëdhënie të ngushta?
Të dyja motrat u vështruan prapë sy ndër sy. Sytë e Dianës kishin një zjarrmi të çuditshme.
-Ti më pyet jam vajzë apo jo?
Stelës seç iu drodh në zemër. Sa e guximshme ishte Diana. Ajo deshi të pyeste pikërisht këtë, por s'mundi as ta mendonte, bile, kaq zhveshur.
-Po, - pohoi me drojtje Stela.
Diana uli pak sytë, duke trazuar mekanikisht fotografitë. Stela u pendua që pyeti. Por tani ishte vonë. E shkreta Dianë, si i uli sytë.
Diana psherëtiu e lumtur me një buzëqeshje turpërisht ironike.
-Jo, unë s'jam vajzë.
Stelës në çast iu duk sikur një aparat magjik ia largoi dhe ia veshi me mjegull motrën e saj. Ajo s'ishte vajzë. Diana, motra e dashur, sa e huaj u bë befas për të. Stela deshi të ndalte diçka, por kjo diçka ishte bërë dhe ajo s'mund të ndalte asgjë.
-Stela, ç'më shikon kështu? - Diana i përkëdheli flokët e valëzuar e të rëndë. - Ti nuk më do më? Fol, ti s'më do më?
Stela e shikonte me sy të hutuar, të zbrazur. Kishte keqardhje, trishtim apo zili në sytë e së motrës? Diana nuk kuptonte dot.
-Jo, Diana, asgjë, - u përgjigj si e humbur vajza.
Nga kati i tretë u dëgjuan tingujt e magnetofonit. Një ritëm rok-en-rolli dhe një grua që këndonte me një zë si jehonë.
-Shkojmë të dëgjojmë muzikë, tha Diana, - se më ka marrë malli për një danc. E njeh, Dorian Gej këndon.
-Jo, - tha Stela, - Mamaja s'më lë.
-Ama dhe ti, ç'hyn mamaja këtu?
Sa kishte ndryshuar Diana, sa e guximshme ishte bërë Diana. Kjo Diana, motra e saj.
Të dy motrat po bëheshin gati të trokisnin në derën e qiraxhiut, kur magnetofoni befas heshti.
-Ptu, t'i ... nënën, shiriti u këput, - u dëgjua zëri i Gjonit. Ato të dyja nuk deshën të hynin në këtë qetësi. Dy të tjerë seç bisedonin.
-Sidoqoftë, kurrë s'pranoj që respekti ndaj letërsisë dhe popullit tim është një paragjykim.
-Ore, të mbushet koka ty, ne jemi njerëz të shekullit njëzet, shekullit atomik, pushtojmë hënën, rrëzojmë yjet, ne duhet ta shtypim moralin e vjetër. Si ka thënë Migjeni:
Ne të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij.
Magnetofoni buçiti duke mbytur zërat. Motrat hynë. U prezantuan. U ulën. Djemtë e rinj përnjëherë u gjallëruan. Gjoni dukej i lumtur. Ai vuri tangon për të vallëzuar dhe mori Dianën, duke mos guxuar të merrte Stelën. Sa ia kishte turbulluar përfytyrimin këto net kjo studente e ardhur nga vise të largëta, për të cilat digjej zemra e tij. Ata menjëherë zbuluan te njëri-tjetri patosin që i bashkonte : etja për botën e madhe dhe përçmimi për provincën. Por, ndërsa Diana do të ishte pas dy javësh përsëri jashtë shtetit, ai i mjeri do të mbetej atje.
Ndërsa vallëzonte e bisedonte me Dianën, Gjoni dy herë i poqi sytë me Stelën. Ajo se si i dukej sonte, e rritur, serioze dhe e menduar.
Tangon tjetër Gjoni mori Stelën. Hera e parë që vallëzonte me të. Eugjeni mori Dianën. Mentori buzëqeshte filozofikisht. Diana vallëzonte shumë ngjitur. Gjoni e afroi pak Stelën, sa i ndjeu aromën e flokëve. Ajo nuk kundërshtoi, përkundrazi e hapi pak krahun që ai të kishte mundësi ta kapte më mirë nga beli. Gjoni mundohej ta vështronte në sy, por fytyrat e tyre qenë shumë pranë. Vetëm afër fundit Stela i ngriti pak sytë. Gjoni ndjeu në zemër një furi të ngrohtë, sikur dikush i hapi një rubinet avulli të nxehtë.
Pastaj Gjoni me Dianën kërcyen një mambo. Stela shikonte me admirim lëvizjet e tyre. Sa shkojnë me njëri-tjetrin, mendoi dhe një pikëllim i mbushi zemrën. Diana ishte nxehur nga muzika. Ajo kishte pothuaj një muaj që nuk kishte takuar asnjë mashkull. Ulërima e saksofonit i zgjonte të gjitha dëshirat në trupin e saj të ri dhe të bukur. Sa e rrezikshme është Diana, mendoi Stela me një frikë të pakuptuar në zemër. Si vështronte ajo, si lëvizte. Edhe Gjoni ishte nxehur. Ai nuk e vështronte më Stelën. Frika në zemrën e Stelës u kthye në xhelozi ndaj së motrës. Po pse Gjoni që e vështronte gjithmonë në sy, i kthente tani kryet? Edhe ta vështronte, tani ajo nuk do t'i hiqte më sytë, veç ta shikonte. Më mirë të mos kishin ardhur fare dhe Diana nuk do të ishte njohur me të. Megjithatë, asaj nuk i interesonte kjo punë. Pse ç'ishte Gjoni për të? Profesor dhe asgjë tjetër. Po, po kështu ishte. Le të buzëqeshte Diana sa të donte. Ç'punë kishte Stela? Diana vajzë e tillë u bë, e shthurur, oh, si s'ka turp kjo motra e saj.
Muzika e xhazit sikur i rrihte me kopan mendimet e Stelës, duke i përplasur nga një mur në tjetrin, duke i kapur prej flokësh, prapë duke i ngritur në tavan dhe prapë duke i përplasur në dysheme.
Diana e dridhte trupin si gjarpër. Eugjeni thërriste "Jepi!" herë pas here. Mentori prapë buzëqeshi. Sa kërcisnin takat e Dianës! Një sorrë qëndroi te pezuli i dritares. Xhamat qenë veshur avull dhe sorra nuk dukej qartë. Në librin e këndimit të klasës IV fillore kishte një vizatim, ku një harabel çukiste jashtë dritares. Se si iu kujtua kjo Stelës papritur. Sa larg ju duk ajo kohë. Tani sorra s'dukej më pas xhamit. Diana qe mbytur në djersë. Çudi si nuk i thyheshin takat. Ajo po qullej. Dhe vështrimin sikur e kishte të djersitur. Sa gjë e shëmtuar është djersa, mendoi Stela. Ajo e urrente djersën. Asaj iu kujtuar një frazë nga libri i historisë: "normandët e fitonin me gjak atë që mund ta fitonin me djersë". Sorra u ul prapë te dritarja. Jashtë qe ftohtë dhe asgjë s'të kujtonte djersën. Sikur takat e Dianës të mos ishin çeke, ato tani do të thyheshin. Më mirë që takat mos të ishin çeke. Vetëm mos të përdridhte këmbën, kur të thyheshin. Jo, jo, këmbën s'duhet ta përdridhte.
Befas hyri nëna. Ajo shkuli faqet kur pa Dianën që kërcente në atë mënyrë. Atë mbrëmje kjo u bë shkak për grindje familjare. Diana nuk deshi t'u lëshonte udhë prindërve në asnjë mënyrë. Ajo fliste me ca idera që i thernin si thika të ftohta pleqtë e shkretë.
-Pu-pu, na u prish vajza, - murmuriste nëna pas çdo pauze. - Të thashë, burrë ziu, atëherë që të mos ta dërgojmë në atë Evropë të nëmur. Pu-pu, na iku vajza! Po ai goxha djalë si s'kish turp që hidhej sikur i kishte hyrë një krimb në b.... Ua, ua, ua, është edhe dhaskal, ç'mësues, dhaskal përmbysuri është ai.
Atë natë dhe më vonë, kur Diana hapte bisedë për Gjonin, Stela dëgjonte me nervozizëm dhe ishte e paqetë gjersa biseda mbyllej përsëri.
Vonë fjetën atë natë të zotët e shtëpisë. Të dy motrat ranë të flinin bashkë, si zakonisht, në krevatin dopio.
-Stela!
-Ti më more tërë kuvertën.
-Tërhiqe vetë.
-Ti ç'ke kështu? Mos je e sëmurë?
-Jo.
Fëshfërinë çarçafët dhe një palë flokë u fërkuan mbi jastëk.
-Diana!
-Hë.
-Ç'ndjen kur puthesh?
-Uh ti, fëmijë!
-Më thuaj.
-Ç'të të them. Po ja ndjen diçka të çmbël si bonbone.
-Ti tallesh. Mua më duket se kur puthesh nuk ke qejf të hash.
-E vërtetë.
-Po pse psherëtive?
-Unë, jo... kot.
-Diana!
-Hë, ç'ke. Fli tani.
-Po kur... ç'ndjen?
-Dëgjo Stela. Kurrë s'duhet ta bësh atë. Morre vesh? Kurrë. Do të pendohesh tërë jetën pastaj. Dëgjon?
-...
-Dhe tani fli. Mua po më mbyllen sytë. Natën e mirë.
-Natën e mirë!
Pas pak Diana fjeti. Në dhomë ishte errësirë dhe qetësi e plotë. Dëgjohej vetëm gërhitja e lehtë e gjyshes dhe tiktaku i orës së vjetër. Stela kishte të nxehtë, i dhimbte koka. Mundohej të flinte, por s'mundte. I dukej sikur në tru i shtypej një turmë mendimesh, që përpiqeshin të dilnin si nga një portë e ngushtë, por nuk mundnin. O Zot, sa shumë mendime, dhe sa të palidhura dhe ç'budallallëqe! Po a nuk mundte të mos mendonte asgjë? Jo. Ca fiksime pa kuptim i nguleshin si gozhdë dhe s'i shqiteshin. Ndonjë gjysmë vargu dy nota të një melodie, fraza pa lidhje. Tamam sikur ia ngulte njeri me çekan. Sa shumë gozhdë. Dhe sa shponin. Gozhdë të rënda.
Duke u kthyer sa nga një krah në tjetrin, kofshët e saj prekën ato të së motrës, që flinte në shpinë. Ah, ja kush e bezdiste, trupi gjysmëlakuriq i së motrës, që shtrihej i ngrohtë dhe i zbuluar pranë saj. Ah, ky trup ishte për Stelën misterioz. Në këtë trup të bardhë e të lëmuar s'kishte vend që të mos qe përkëdhelur nga duar mashkulli. Kushedi sa herë ishte shtrirë kështu Diana, lakuriq, me djem të huaj në krevat. Fantazia e çmendur e Stelës me një shpejtësi të rrufeshme krijoi përnjëherësh dhjetëra përfytyrime meshkujsh, që i përkëdhelnin të motrën e zhveshur.
Stela vetvetiu u tërhoq pak sikur të trembej se mos ato hije, që përfytyrimi i saj vizatonte, e preknin dhe atë me duart e tyre të ashpra prej djemsh... Ta preknin, ta përkëdhelnin, ta shtrëngonin fort... Ajo ndjeu një valë të ngrohtë t'i ngjitej në trup dhe u kthye përmbys për t'u qetësuar ca. Ajo kishte dëgjuar se vajzat ktheheshin përmbys kur i trembeshin vetes.
Tang, tang, tang.
Ora ra tre pas mesnate.


1936

Jeta dhe Vepra

Analiza
Poezi
Kronikë në Gur
Përbindëshi
Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
Qyteti pa Reklama

 

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003