Më në fund, pas tri ditë
grindjesh, ku u përpoqën si në duel
filozofira, botëkuptime, perceptime të botës,
moralë të vjetër e të rinj, citate
të marra andej-këndej, pas ca dyshimesh
e lëkundjesh, Gjoni me Mentorin e mposhtën
Eugjenin kokëfortë. Erdhi, më në
fund, ajo mbasdite e dëshiruar, kur u mblodhën
në dhomën e Gjonit për të biseduar
konkretisht për punën që do të
bënin. Përpara kishin për të zgjidhur
disa probleme: e para, të përcaktonin përmbajtjen
e tekstit fals dhe vjetërsinë e tij. Nga
këto varej një pjesë e vlerës
së dokumentit. E dyta, duhej rindërtuar
me kujdes gjuha e vjetër e tekstit në bazë
të lidhjeve të gramatikës historike.
Kjo i përkiste kryesisht Gjonit. E treta, ishte,
si të thuash, zgjidhja teknike e problemit, domethënë
shkrimi i tekstit me ngjyrë speciale dhe një
nga punët më të vështira: vjetërsimi
artificial i letrës ku do shkruhej teksti. Këto
të fundit i përkisnin Mentorit, si kimist.
-E, si thoni shokë, a do të krijojmë
(Gjoni nuk donte të përdorte fjalën
"falsifikojmë") ndonjë dokument
që dihet i humbur apo ndonjë dokument të
panjohur fare? Kryesorja është që të
ketë vlerë, të krijojë diskutime
dhe interes.
-Po ja, për shembull, sikur të krijojmë
letrën e humbur të murgut Brokhard, që
vërteton se shqipja ishte shkruar qysh në
shekullin XIV, - tha Mentori.
-Si shumë e guximshme, - vërejti Evgjeni,
- si thua Gjon, ty të kemi kryetar.
-Kjo është e pamundur. E para, se letra
e murgut Brokhard është shkruar në
gjermanishten e vjetër, kështu që duhet
rindërtuar një gotishte që edhe gjermanët
vetë e kanë të vështirë.
E dyta, dhe kryesorja, është se letra e
tij ishte një raport papës apo perandorit,
s'e mbaj mend mirë, i cili duhej gjetur në
arkivat e tyre. Sepse, fundja, s'ishte veçse
një kalimtar në Shqipëri. Kështu
që do të nuhatej menjëherë hileja.
-Më mirë ta bëjmë vetë. Ç'na
duhet të fusim hundët tek të tjerët.
Po sikur të gjendet pastaj letra e murgut?
Të tre qeshën me fjalët e poetit.
-Unë mendoj kështu, - tha Gjoni. - Krijojmë
një dokument, ku të vërtetohet teza
e kryetarit të Akademisë së Shkencave,
se toskërishtja është shkruar përpara
gegërishtes. Me këtë rast dokumenti
do të ketë vlerë më të madhe,
sepse pohon tezën e kryetarit dhe jeta na mëson
që me të mëdhenjtë duhet ta kemi
gjithmonë mirë. - Fjalët e fundit i
tha me të qeshur.
-I ke rënë në të, - tundi kokën
Mentori.
-Dhe do ta hedhim në baltë profesorin O.B.
në lidhje me ca forma të participit të
shqipes së vjetër. Në dokument vemë
ca forma, që vërtetojnë të kundërtën
e tezës së tij.
-Ah, jo, jo, veç mos ketë larje llogarish
personale, Gjon, - ndërhyri Mentori. - Më
duket se të ka kthyer tri herë në provim
dhe...
-Bah, - kundërshtoi Gjoni, - për mua fatet
e gjuhës shqipe janë më lart se çdo
ambicje personale.
Eugjeni qeshi me vete. Dhe Mentori qeshi me mend.
-Po mirë, - pyeti ky i fundit, - ç'përmbajtje
do t'i vemë dokumentit, ti the se vlera varet
nga përmbajtja gjer në njëfarë
shkalle.
-Pikërisht për këtë duhet menduar
mirë. Ah, prisni, më duket se e gjeta, për
nder, e gjeta, - thërriti Gjoni. - Gjeta kyçin,
dëgjomëni, me një gur vrasim dy zogj,
lere se ç'do vejë. Oho, qejf i madh.
-Po nxirre, të shkretën.
-Gjithë vlera e dokumentit, përveç
lavdisë që do t'i japë kryetarit të
Akademisë, do të qëndrojë në
faktin që ky do jetë dokument jo fetar,
siç janë të gjitha dokumentet e vjetra
të shqipes, por laik. Kështu që do
të dalë se dokumenti i parë i shqipes
së shkruar është laik. Kjo ka domethënie
të madhe, më kuptoni? Kurse nga ana politike,
është ideale fare.
-S'e ke keq, tha Mentori, veçse ca e guximshme.
-Ama do bëjë furore, ë?
-Do bëjë që ç'ke me të.
-Komedi do jetë sikur të fusim atje ndonjë
aluzion për luftë klasash, atëherë
do çmenden të tërë në Akademi,
propozoi Eugjeni.
-Ç'ne, - kundërshtoi Gjoni. - Kjo do bjerë
erë, pastaj. Unë mendoj të bëjmë
kështu... megjithëse ti Eugjen na dhe një
mendim të shkëlqyer. Dëgjoni, ne do
të bëjmë një tekst, ku fshatarët
e një fshati i luten kishës që, për
arësye të zisë së bukës,
t'i falë të dhjetat. Me këtë rast,
kush është i etur, do të gjejë
një fije luftë klasash.
-O, s'ka nevojë, ata do nxjerrin pastaj dhjamë
nga pleshti. Për këtë janë mjeshtër.
-Unë them t'i vëmë datën... ta
zëmë 1387, domethënë shumë
vjet përpara formulës së pagëzimit.
-Në rregull fare.
Gjoni ishte skuqur pak nga dehja. Edhe të tjerët
ishin të gëzuar. Të fillojmë sa
më parë, sa më parë. Detyra kryesore
i përkiste Gjonit dhe Mentorit. I pari duhej
të studionte seriozisht shumë gjëra,
të rilexonte leksionet e gramatikës historike
dhe të latinishtes dhe tekstet e vjetra toskërisht.
Kurse Mentori do të merrej me formula kimike
për të përgatitur tretësirat e
duhura. S'ishte e lehtë të krijoje letër
të bërë me bojë 500-vjeçare.
-Po unë? - pyeti Eugjeni, - inspektor do të
jem?
-More me tërë mend, sikur Eugjeni të
krijojë ndonjë gjë, si të thuash,
rezervë për çdo rast. Hë, ndonjë
vjershë, bejte apo lutje fetare.
-Punë e bukur, besa, - qeshi Eugjeni.
-Pse çuditesh ti Eugjeni, të kujtohet
kur thamë "ah, sikur të gjejmë
veprën e humbur të Çajupit: "Këngë
dhe vome për luftën e madhe"? Kapito?
- Gjoni kaq shumë kishte nxitur, këto kohë,
te shokët e tij etjen për kërkime,
saqë tani fliste i sigurt fare.
-Domethënë, tani të bëjmë
edhe veprën e Çajupit?
-Pse mos ta bësh? Për ty nuk është
e vështirë të imitosh stilin e tij.
Vetëm nja dhjetë vjersha, të tjerat
gjoja ishin grisur nga dorëshkrimi. Me këtë
rast do të bëhet sensacion i madh, sidomos
kur tema kundër luftës është kaq
aktuale sot. Pastaj ti e kthen përmbajtjen si
të duash. Lexo edhe një herë leksionin
e luftërave në imperializëm dhe do
të jesh brenda.
Gjoni edhe vetë çuditej se sa me lehtësi
i pillte sot mendja idera. Truri i tij ishte në
një gjendje të frymëzuar, që zbulonte
dhe nuhaste si një aparat modern i përsosur.
Biseda e miqve u shndërrua në tingëllimë
gotash. Pinë për gjuhën shqipe të
shkruar para Formulës së Pagëzimit
dhe për zbulimin e madh të veprës së
humbur të Çajupit. Një dyshim i lehtë
si mjegull ishte ulur në tryezën e tyre
nga sfera të panjohura. Parandjenja nuk u jepte
asnjë përgjigje.