nga kronika:
Ndërsa Japonia përgatitet t'i bjerë
Indisë dhe Australisë. Gjyq. Përmbarim.
Pronë. Thirret në gjyq për mosshlyerje
borxhesh Gole Balloma nga lagjja Varosh. Ankandi i
plaçkave të shtëpisë së
L.Xuanos bëhet të dielën. U lëshuan
fletarrestimi për plakat H.Z. dhe C.V të
cilat akuzohen se kanë bërë magji .
Lajmëroj lexuesit se shkaku që numri i kaluar
i gazetës doli i dobët dhe me gabime ishte
se kam qenë sëmurë nga stomaku. Kryeredaktori.
Përjashtohen nga gjimnazi elementë të
tjerë turbullues. Na kanë ardhur një
numër ankesash nga prindërit për mësuesin
Qani Kekezi. Sistemi pedagogjik i zotit Kekezi është
me të vërtetë i babitshëm. Gjatë
mësimit të anatomisë ky njeri ther
mace në sytë e nxënësve, duke
tmerruar kalamajtë e shkretë. Herën
e fundit majia e masakruar i shpëtoí nga
duart dhe u hodh sipër bankave të nxënësve
me zorrët përjashta. Zojiusha Lejla Karllashi,
vajza e pronarit të nderuar të fabrikës
së lëkurëve Mak Karllasbit, u nis dje
për në Itali. Përfitojmë nga ky
rast për të dhënë orarin e nisjes
së vaporëve të linjës Durrës-Bari.
Adresat e mamive të qytetit. Çmimi i bukës.
Lajmërime lindjesh, martesash, vdekjesh.
- Je dobësuar, - tha gjyshja, - Duhet të
shkosh ca ditë te babazoti.
Më pëlqente shumë të shkoja mysafir
te babazoti (kështu e thërrisnim gjyshin
nga ana e nënës). Më pëlqente,
se atje vendi ishte më i qeshur dhe më i
butë dhe kryesorja se atje nuk kishte uri si
në shtëpinë tonë. Në shtëpinë
tonë të madhe, ndoshta nga shkaku i korridoreve,
hajateve, musëndrave e kuberave, uria ndihej
edhe më shumë. Veç kësaj lagja
jonë ishte bojë hiri, me shtëpi të
dendura, pothuaj të ngjitura me njëra-tjetrën.
Këtu çdo gjë ishte e përcaktuar,
e ngulur njëherë e përgjithmonë,
qindra vjet më parë. Rrugët, kthesat,
qoshet, pragjet e shtëpive, shtyllat e telefonit
dhe gjithçka tjetër ishin si të derdhura
në gur, në largësi të përcaktuara
me centimetra nga njëra-tjetra. Kurse te babazoti
çdo gjë ishte e butë dhe e ndryshme.
Atje rrugët dhe rrugicat bënin sikur harronin
vendin nga kalonin një javë më parë
dhe qetë-qetë e pa bujë zhvendoseshin
nga e majta apo nga e djathta. Kjo ndodhte, sepse
atje asgjë nuk ishte shtruar me kalldrëm,
por me tokë të shkrifët. Veç
kësaj, toka këtu ishte e rrëshqitshme.
Këtu vendi ishte si njeriu: shëndoshej,
dobësohei, zbukurohej, vrenjtej, shëmtohej,
sipas ndërrimit të stinëve. Kurse lagjja
jonë ishte pothuaj indiferente ndaj këtij
ndërrimi.
Në pjesën veriore të lagjes kalonte
rruga e kalasë, që lidhte lagjet e sipërme
të qytetit me qendrën. Rruga ishte shumë
lart në krahasim me nivelin e çatisë
së dy shtëpive të vetme të lagjes
dhe njëherë një kamion që u rrëzua,
dëmtoi rëndë hajatin e shtëpisë
së babazotit. Nganjëherë qëllonte
që rrëzohej ndonjë i pirë dhe
çatia pikonte një javë rresht. Po
këto ishin gjëra të rralla. Rruga kishte
kalimtarë të paktë dhe herë pas
here një i vetmuar, i panjohur këndonte
me sa zë që kishte në pisk të
vapës, tek kthehej nga pazari:
Shtatë sahati i natës
Të shkova te porta.
Zërin ta dëgjova, Meri
Thoshe "më dhemb koka".
Një Merjemeje i dhembte koka vazhdimisht në
orën shtatë të mbrëmjes dhe ajo
ankohej për këtë gjë. Ishte e
thjeshtë, megjithatë më pëlqente
shumë kjo këngë. Një këngë
të tillë s'do të guxonte ta këndonte
askush në lagjen tonë. Po të ndodhte
kjo gjë, do të hapeshin përnjëherësh
me dhjetëra dritare, gratë dhe plakat do
të shkulnin faqet e do të mallkonin dhe
më në fund dikush do t'i hidhte ujë
guximtarit. Kurse këtu hapësira ishte e
gjerë dhe e shkretë dhe mund ta ngrije zërin
gjer në kupë të qiellit dhe prapë
hapësira, nuk mbushej prej tij. S'ishte gjë
e rastit që i panjohuri, porsa dilte në
krye të rrugës, ia merrte kësaj kënge.
Ai me siguri e bluante atë në kokë
gjithë ditën, në pazar, në kafene,
në qendër të qytetit dhe me siguri
mezi ç'priste sa të dilte te kjo humbëtirë
për ta lëshuar zërin sa kishte në
kokë.
Në këtë lagje ishin të bukura
dhe të pangjashme me asgjë sidomos mbrëmjet.
Kur dëgjoja njerëzit që thoshin "mirëmbrëma!",
menjëherë më shkonte mendja tek oborri
i shtëpisë së babazotit, ku jevgjit,
që banonin në odajashtën e shtëpisë,
i binin violinës, ndërsa babazoti rrinte
në shezlong dhe thithte çibukun e tij
të madh e të zi. jevgjit, prej kohësh,
nuk kishin me se ta paguanin qiranë e odajashtës
dhe, me sa duket, këto koncerte në netët
e verës plotësonin deri--diku detyrimin
që ata kishin ndaj babazotit.
- Babazot, më dridh edhe mua një cigare,
- i thosha me zë lutës dhe ai, pa më
folur fare, dridhte një cigare të hollë,
ma ndizte dhe ma jepte. Unë ulesha pranë
tij dhe thithja me qejf të madh duhanin, pa u
trubulluar nga shenjat kërcënuese që
më bënin tezet dhe dajat nga gjysmerrësira.
Mendoja se nuk ka lumturi më të madhe në
botë sesa, pasi të kesh ngrënë
shumë, shumë, të pish duhan dhe të
dëgjosh jevgjit, që i bien violinës,
duke i mbyllur sytë përgjysmë, ashtu
si babazoti.
Ah, sa të rritem, mendoja, të blej një
çibuk të madh e të zi që të
lëshojë tymin duman, të lë mjekër
si të babazotit, dhe të lexoj gjithë
ditën qitape të trasha, shtrirë në
shezlong.
- Babazot, - i thosha me zë të zvargur,
sikur të isha në ëndërr, a do
të më mësosh edhe mua turqisht?
- Do të të mësoj, - më përgjigjej
ai. - Sa të rritesh dhe ca dhe do të të
mësoj.
Zëri i tij ishte i trashë dhe nanuritës
dhe unë, i mbështetur pas shezlongut të
tij, ëndërroja magjinë e duhanit dhe
mundohesha të llogarisja me mendjen time se sa
duhan do të më duhej për të pirë
gjatë shumë vjetëve dhe sa qitape do
të më duheshin për të lexuar,
gjersa të më vinte koha për të
vdekur.
Të gjitha këto po më vinin ndër
mend në një mënyrë krejt të
parregullt, ndërsa po lija prapa shtëpinë
e artileristit plak Avdo Babaramo, e vetmja shtëpi
që ngrihej rrëzë kalasë, dhe po
zbrisja tatëpjetë bokërimave, nëpër
rrugën e ngushtë, që përsëri
kishte lëvizur. Copëra kujtimesh, gjysma
frazash apo fjalësh, bishta ngjarjesh të
parëndësishme, ndërprisnin njëra-tjetrën,
shtyheshin, kapeshin për veshi apo për hunde
me një gjallëri që shtohej bashkë
me shpejtësinë e hapave të mi.
Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të
merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte
me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë
së babazotit gjersa të më takonte.
Në vërtitjen e saj kishte diçka prej
fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo
ishte më e madhë se unë, e hollë,
me flokë të gjatë, që i krihte
vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe
të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç
asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë
vajzë apo djalë tjetër të vogël.
Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen
time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis
të mëdhenjve. Ajo mërzitej në
shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma
dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej
në mesditë, mërzitej në mbrëmje,
bile dhe në mëngjes. Me një fjalë
mërzitej jashtëzakonisht. Këtë
fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte
nga goja me një kujdes të veçantë,
sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur
me dhëmbë apo me gjuhë...