Në qoftëse "Dimri
i madh " (në botimin e parë titullohej
Dimri i vetmisë së madhe, 1973), i cilësuar
nga kritika (pas përfundimit të fushatës
sa cinike, aq dhe mediokre, të ndërmarrë
kundër tij) si një roman-epope, kishte qenë
dëshmi artistike e një tronditjeje dhe qëndrese
heroike, "Koncert në fund të dimrit"
(1988) do të jepte kryesisht dimensionin humoristik
të një ngjarjeje krejt të ngjashme
me të parën, veçse tashmë e
njohur dhe e provuar nga protagonistët e saj,
të mësuar në rrjedhat e historisë
së tyre të lashtë, që rebelohen
pa mundim ndaj supershteteve.
Në këtë roman serioziteti është
po aq i pranishëm sa dhe e qeshura; drama dhe
parodia, epopeja dhe farsa, tragjizmi dhe komizmi,
aty shkrihen dhe aty alternohen, gjendjet emozionale
janë nga më të befasishmet. Me të
drejtë vetë autori, në një interviste
dhënë gazetës franceze "Le Monde",
e ka karakterizuar atë si një "roman
me shumë registra, si një "vepër
polifonike", si një libër artistik
sa dhe shkencor, politik sa dhe filozofik, histori
e luftërave ideologjike në shkallë
të brendshme e globale, kronikë e një
bote të trazuar në këtë fund shekulli
novator. Kjo shkrirje e shumë planeve, emocioneve
dhe ideve, flet për një vepër që
gjykon kohën dhe botën, njeriun dhe shoqërinë,
të sotmen, të shkuarën dhe të
ardhmen. Ky roman është ndoshta vepra më
e kompletuar e Kadaresë nga pikëpamja e
mendimit. Spektri ideologjik i saj i përmban
të gjitha ngjyrat, bashkë me nuancat e tyre.
Polifonia që përmend autori nuk është
gjë tjetër veçse një eufemizëm
për shumësinë e ideve ose pluralizmin,
siç e themi sot me vend e pa vend. I prerë
në dy boshte, diakronikisht dhe sinkronikisht,
romani ka shtrirjen dhe thellësinë e një
vepre të fuqishme, ku hyjnë e dalin shqiptarë
e të huaj, nëpunës të thjeshtë
e zyrtarë të lartë, ministra të
rrëzuar nga pushteti dhe autoritete të reja
në ngjitje, djem e vajza shkollarë dhe plaka
të sklerotizuara, gjithë bota jonë
e vëzhguar nga brenda e nga jashtë, me një
përfaqësim enciklopedik; gjithë koha
që jetojmë, me një pasqyrim kaleidoskopik.
Ai është një libër i menduar me
tërë fuqinë intelektuale të shkrimtarit
të madh dhe i shkruar fund e krye me gjithë
spontaneitetin e poetit shpërthyes. Një
libër që lind libra të rinj.