Faqja Kryesore  >> Letersi  >> Moderne  >> Ismail Kadare
 

Ismail Kadare

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

Ju ndodheni ketu Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Petro Marko

 
 

  Jakov Xoxa

 
 

  Martin Camaj

 
 

  Kasëm Trebeshina

 
 

  Fatos Arapi

 
 

  Dritëro Agolli

 
 

Ju po shikoni kete autor Ismail Kadare

 
 

  Anton Pashku

 
 

  Azem Shkreli

 
 

  Arshi Pipa

 
 

  Esat Mekuli

 
 

  Lluka Perone

 
 

  Vorea Ujko

 
 

  Nazmi Rrahmani

 
 

  Ali Podrimja

 


 

Qyteti pa Reklama (kreu XVI)

Ndërsa Stela numëronte çdo ditë që i ngelej së motrës dhe ndiqte me shqetësim lëvizjet e saj, Diana mendonte se nuk do të ishte keq, që për këto dy javët që i ngelën, të shtinte në dorë Gjonin. E vërteta qe se kaq shumë e kishte marrë malli për dashnor, sa i dukej se nuk kishte pasur kurrë në jetë. Ç'humbte ajo nga kjo gjë? Në fund të fundit, do ta shante ca e ëma, po ta pikaste, dhe asgjë. Po asaj aq i bënte. Gjoni s'ishte i keq, bile ishte shumë simpatik. Dukej që edhe ai, si ajo, qe malluar për femër. Njihej nga sytë. Këtë dritë të çuditshme në sytë e Gjonit, e njihte Diana mirë. Ajo e kishte parë të digjej qindra herë, kur kthehej vonë, jashtë shtetit, në konvikt, në sytë e burrave, që rrinin e prisnin pranë hyrjes së metrove, që u pëshpërisnin misteriozisht grave dhe që pastaj prapë nguleshin si shtylla aty-këtu, duke lëvizur kokën djathtas e majtas, pikturë e trishtë e jetës beqare. I shkreti djalë! Pse të mos i falte pak gëzim? Vetëm se këto ditë, se ç'dreq kishte që s'e ngrinte kokën nga librat.
Diana vështronte qytetin e ngrirë pas xhamave të dritareve të mëdha. Ca figura të zeza lëviznin andej-këndej. Oxhaqet nxirrnin tym të kaltër. Ajo bluante në kokë mendime pa lidhje. Sa e çuditshme ishte bota! Dy njerëz të huaj takojnë njëri-tjetrin, në fillim puthen, pastaj fërkohen dhe prapë shtrëngohen. Të mendosh, pastaj, se nga kjo ndiejnë kënaqësi supreme këto dy krijesa njerëzore. Po, në të vërtetë ku është kënaqësia? O Zot, sa gjëra abstrakte, të gjitha budallallëqe.
Hyri Stela. Dukej që kishte qarë. Sytë e skuqur nga lotët i dukeshin edhe më të bukur.
-Ç'ke moj motër? - e përkëdheli Diana. Stela nuk fliste. Hodhi çantën në një qoshe dhe zuri të zhvishej. - Mos ke marrë gjë ndonjë dysh? Më thuaj, kush?
-Kimia, - u përgjigj me mërzi motra.
-Ai me syze, që vjen te qiraxhiu ynë?
-Po.
-E pse s'thua? Që tani do të shkoj te Gjoni. Të ketë turp, e ka shok.
-Jo, jo Diana.
-Do shkoj, posi, t'i them të të ngrejë herën tjetër, të marrësh pesë. Budallaqe, është fundi, duhet ta ndreqësh notën.
Duke folur, Diana hodhi një triko krahëve dhe po rregullonte flokët para pasqyrës. Sa rast i bukur për të shkuar te qiraxhiu simpatik. Ideale fare. Po ç'kishte kjo Stela që nuk donte? Ah, kjo Stela që nuk merrte vesh nga bota.
Stela me sy të hutuar, po i lutej motrës të mos shkonte, por Diana s'ia vinte veshin. Toni i motrës së vogël sa vinte bëhej më i vendosur, më i egër.
-Diana, nuk dua, dëgjon? Nuk dua të shkosh.
-E unë do të shkoj, se të kam motër, - ia preu Diana dhe u sul nga dera.
Stelës nga inati i shpërthyen lotët. U dëgjuan takat e Dianës nëpër shkallë. Këtë të ecur nazik e njihte Stela mirë. Sa e rrezikshme ishte Diana. Ajo në fillim as vetë s'e kuptoi pse iu duk hata të vajturit e Dianës te Gjoni, pastaj çdo gjë po i qartësohej. Mekanikisht pa orën, sa do të vononte Diana vallë. Një shqetësim i egër po e brente. Ah, ky dysh i mallkuar, s'mjaftonte vetëm kjo, po, na, dhe Diana. Ajo tani po ia tregon punën atij dhe, me siguri, e vështron me ata sy të paturpshëm. Ja dhe magetofoni zu të dëgjohej. Me siguri nisën të vallëzojnë. Ajo e vështron prapë. Kur njerëzit flasin për gjëra serioze nuk duhet të vështrohen ashtu, në asnjë mënyrë. Kjo është hipokrizi, kjo duhet të jetë e papranueshme nga shoqëria, nuk duhet jo. Megjithatë Diana e vështronte atë në sy, ajo këtë e dinte mirë, ja, sikur i kishte përpara. Sa e keqe ishte Diana! Të vinte sa më parë, ç'priste akoma, kaluan dhjetë minuta. Ideja se shkak që Diana të shihej me Gjonin kishte qenë vetë ajo, e nervozonte Stelën në kulm. Ajo nuk duroi më. Kishin kaluar njëzet minuta. Veshi pantoflat dhe ngjiti ngadalë shkallët. Gjunjët i dridheshin, herë-herë kërcisnin shkallët, në korridor kaloi gjyshja, duke zvarrisur fustanin e gjatë. Stela ndaloi para derës së Gjonit. Ajo vështroi përreth. Sa e huaj i qe bërë kjo pjesë e shtëpisë tani. Këtu, ato të dyja me Dianën, kur ishin të vogla, dilnin mëngjeseve dhe u hidhnin bukë harabelave në ballkon. Një ditë, një çapkën i lagjes goditi me llastik një harabel dhe ai ra i ngordhur mbi thërrimet e bukës. Sa kishin qarë atëherë të dy motrat. U dukej sikur ato kishin qenë shkak për vdekjen e zogut të vogël.
Stela i largoi kujtimet dhe vuri veshin. Muzika nuk e linte të merrte vesh asgjë, Papritur muzika heshti. U dëgjua kërcitja e thatë e rrotkave të magnetofonit, fëshfëritja e shiritit që, siç duket, u këput dhe pastaj heshtje. Asnjë lëvizje hapash, asnjë zë, askush s'po avitej te magnetofoni. Stelës i rrihte zemra me tërbim, dukej sikur dikush i pomponte ajër në gjoks dhe i krijonte kështu një zgavër të tmerrshme, që po e mbyste. Ajo vuri veshin tek vrima e çelësit. Një lëvizje e lehtë, kërcitje dërrase, pastaj një ah i zgjatur femre. Një dorë sikur i ra me sëpatë gjunjëve. Ajo u tërhoq ngadalë, si hije dhe, mbasi u fut në dhomë, ia plasi të qarit përmbys mbi krevat. E poshtra! Sa djem kishte atje jashtë shtetit, vetëm ky i mbeti vallë?
Pas pak erdhi Diana. Në fytyrën e saj ishin gjurmët e të skuqurit. Sytë i shkëlqenin nga një lodhje e lumtur.
Stela u ngrit, sytë i ndritnin të egër dhe të bukur. Diana buzëqeshi si fajtore.
-Çdo gjë u rregullua, mos më mbaj mëri. Pasnesër do të ngrihesh në kimi.
-Ah, ti kurvë...
Ishte hera e parë në jetë që Stela përdorte një fjalë të tillë. Ajo bile kishte pasur frikë ta mendonte këtë fjalë më përpara. Aq më tepër, për të motrën.


1936

Jeta dhe Vepra

Analiza
Poezi
Kronikë në Gur
Përbindëshi
Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
Qyteti pa Reklama

 

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003