Faqja Kryesore  >> Historia  >> Arberia
 

Historia e Shqipërisë - Arbëria

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Arbëria në fund të shek. XII

Me zhvillimin ndonse të ngadalshëm të marrëdhënieve feudale në viset malore të Arbërisë, u krijua edhe këtu një shtresë feudalësh me origjinë arbëreshe. Në rritjen e këtyre feudalëve ndihmoi edhe politika e perandorëve Komnenë dhe në mënyrë të veçantë ndarja e tokave në formë prone e krerëve të bashkësive. Në viset e Arbërisë, ku administrata bizantine nuk kishte mundur të depërtonte asnjëherë në thellësi, bujaria e re feudale ishte krejtësisht arbëreshe, ndryshe nga krahinat e Shqipërisë së ulët bregdetare, ku krahas feudalëve arbëreshë kishte edhe feudalë bizantinë. Nga një dokument i fillimit të shekullit XIII ne njohim emrat e 15 bujarëve të Arbërisë, një pjesë e të cilëve duken krejt emra shqiptarësh si Jonem, Marken, Leu, Sernel, Pelt, ndërsa pjesa tjetër janë emra të botës së krishterë të përdorur nga arbëreshët si: Dhimitër, Andre, Pal, Aleks, etj. Në të njëjtin dokument janë përdorur tituj jo bizantinë si stopan dhe sundia (sundimtar).

Forcimi i pozitave të bujarisë feudale arbëreshe e bëri të nevojshëm krijimin e një pushteti politik të pavarur. Gjatë shekullit XII ajo e ndiente vehten të dobët perballë sundimit të fortë bizantin të Komnenëve. Por, në çerekun e fundit të shek. X (I, pas vdekjes së perandorit Manuel Komneni (1180), në gjirin a klasës feudale bizantine shpërthyen konfliktet e armatosura në lidhje me çështjen e trashdimit të fronit. Këto konflikte e zhyten perandorinë në një krize shumë të thellë e cila e shpejtoi shembjen e saj. Aristokracia ushtarake, mbështetja e Komnenëve, filloi të mos e përfillte pushtetin qëndror. Serbët, të cilët nën udhëheqjen e zhupanit të madh Stefan Nemanjës (1165-1195), themeluesit të dinastisë së Nemanjidëve, kishin ngritur qysh nëkohën e Manuel Komnenit shtetin a Rashës nën vasalitetin e perandorit bizantin, tani gjetën rastin për të fituar pavarësinë dhe për t'i shtrirë kufijtë e shtetit të tyre në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore deri në vijën Lezhë-Prizren-Prishtinë. Nga veriu, hungarezët e sulmuan perandorinë dhe depërtuan deri në tokat e Bullgarisë. Pothuaj në të njejtën kohë mbreti i normanëve, Gulielmi i II, në marrëveshje me perandorin e Gjermanisë, Frederik Barbarosën, sulmoi në fund të vitit 1185 bregdetin e Shqipërisë me një ushtri prej 80 mijë vetësh, pushtoi Durrësin, i cili u plaçkit dhe pjesërisht u dogj dhe pastaj, së bashku me flotën, pushtoi Selanikun dhe i u drejtua Kostandinopojës.

Në këtë kohë në Bizant lufta për fron kishte arritur kulmin. Në shtator të atij viti, pas një tjetër grusht shteti që shpërtheu në Kostandinopojë, hipi në fron Isaku i II, i familjes së madhe feudale të Engjëllorëve. Perandori i ri, pasi rekrutoi me shpejtësi ushtarë, i sulmoi dhe i theu normanët po atë vit në Demir-llisar. Normanët u detyruan të tërhiqeshin dhe të ktheheshin në Siçili. Por Perandoria Bizantine ishte gjithnjë e dobët dhe u dha rast bullgarëve të fillonin po atë vit (1185) kryengritjen e cila mori përpjestime të mëdha dhe u kurorëzua me rimëkëmbjen e shtetit të pavarur bullgar me qendër në Ternovo.

Në vitet e mëvonshme, Perandoria Bizantine vazhdoi të pësonte disfata pas disfatash. Ekspeditat e shpeshta të Isakut të II kundër serbëve dhe bullgarëve dështuan. Ai u detyrua të bënte paqe me Stefan Nemanjën, mbretin e Rashës duke i dhënë djalit të tij mbesën e vet për grua. Gjithashtu ai u detyrua ta njihte formimin e shtetit bullgar dhe të lidhte paqe me të. Më 1188, Bizanti u trondit përsëri nga kalimi përmes teritoreve të tij të kryqtarëve të kryqëzatës së tretë në krye të të cilëve qëndronte këtë radhë perandori, Frederik Barbarosa. Në teritoret e Ballkanit filluan të shkëputeshin nga kontrolli bizantin sundimtarë të tjerë të fuqishëm.

Dobësimi i Perandorisë Bizantine dhe i autoritetit të pushtetit qendror krijuan kushte të favorshme për zgjerimin e shtetit serb drejt jugut, në krahinat e Kosovës të cilat e bënë tashti qendra politike e këtij shteti. Nën udhëheqjen e Nemanjidëve, feudalët serbë vunë dorë mbi tokat pjellore të këtyre krahinave të pushtuara dhe filluan kolonizimin sistematik të tyre duke e penguar kështu për disa kohë zgjerimin e arbëreshëve në këto zona dhe në disa raste duke i shtyrë këta në viset e brendëshme malore. Por nga ana tjetër formimi i shteteve serbe e bullgare në veri dhe në lindje të Arbërisë e lehtësoi presionin bizantin mbi Arbërinë. Feudalëve arbëreshë u ishin krijuar kështu kushte të favorëshme për t'u shkëputur nga kontrolli bizantin dhe për të formuar një shtet më vehte, principatën e parë feudale shqiptare.


Arbëria

Ngritja e qyteteve
në shek. XII
Thema e Durrësit
në shek. XIII
Grindjet Kishëtare
në shek. XII
Arbëria në fund
të shek. XII
Principata e Arbërisë
Despotati i Epirit
Kryengritjet e arbëreshëve të shek. XII
Arbëria në vitet 1260-1270
Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve
Mbretëria e Arbërisë në fillim të shek. XIV
Arbëria nën Sundimin Serb
Kryengritjet e Malësorëve Shqiptarë
Qytetet në shek. XIV
Anarkia Feudale
Komunet Qytetare Autonome
Principata e Durrësit
Principata e Shkodrës
Despotati i Artës
Arsimi
Kështjellat
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003