Me çthurjen e bashkësive
fisnore e fshatare dhe me shtegëtimet e malsorëve,
vendin e lidhjeve fisnore po e zinte gjithnjë
e më tepër fqinjësia teritoriale. Gjuha,
si një nga elementet më të rëndësishme
etnike, e ndihmoi bashkimin i fiseve e të krahinave
shqiptare dhe formimin i bashkimeve ndërfisnore
e ndërkrahinore.
Në këtë mënyrë, arbëreshët
u shkrinë në një kombësi. Si veçori
dalluese të kësaj kombësie ishin teritori
i përbashkët dhe gjuha e përbashkët,
shqipja, formimi i një farë bashkësie
kulturale që erdhi jo vetëm në bazë
të trashëgimit kultural të mëparshëm,
sikurse e dëshmojnë zbulimet e kulturës
së Komanit, por edhe të prodhimit letrar
epik të këtyre shekujve; emri i tyre i përbashkët
arbër, arbëreshë, emër me të
cilën ata filluan të njihen tani e tutje
nga fqinjët dhe nga gjithë letërsia
mesjetare.
Emri i tyre i përbashkët, me të cilin
arbëreshët përmendën në burimet
historike qysh në mesin e shek. XI, tregon se
ndarja e popullsisë në fise e kishte humbur
rëndësinë e vet.
Të parët që i përmendin arbëreshët
me emrin e tyre të përbashkët janë
shkrimtarët bizantinë të shek XI-XIl,
Mihal Ataliati dhe Ana Komnena. Që të dy
i përmendin rastësisht kur bëjnë
fjalë për ngjarjet politike që u zhvilluan
në teritorin e Shqipërisë në shek.
XI, Mihal Ataliati me rastin e kryengritjes së
strategut të Durrësit, Gjergj Maniakës
(1043), në të cilën morën pjesë
edhe arbëreshët, dhe e dyta, me rastin e
sulmit të normanëve (1081) kundër të
cilëve luftuan edhe arbëreshët. Shkrimtarja
Ana Komnena na jep afërsisht edhe përkufizimin
gjeografik të Arbërisë. Sipas saj,
teritori që mbante emrin Arbëri (Arbanon)
përfshinte krahinat që shtrihen midis Durrësit
e Drinit, pothuajse ato krahina, ku vendoste gjeografi
Aleksandrin i shek. II, Ptolemeu, fisin e A1banoi-ve.
Gjatë shekujve mesjetarë emri i Arbërisë
dhe i arbëreshëve u përdor nga të
huajtë në të dy format, si me rrënjën
arb ashtu edhe atë alb (Arbanon e Albanon në
burimet bizantine, Arbanum e Albanum në burimet
latine. Arbanas e Arban në ato sllave). Banorët
e Arbërisë e quanin vehten e tyre në
përgjithësi Arbër e Arbëreshë,
formë e cila ruhet sot vetëm te shqiptarët
e mërguar jashtë Shqipërisë para
shek. XV-XVI.
Kombësia arbëreshe u formua në fillim
në një zonë të ngushtë, në
kufijtë e Arbërisë të shek. XI,
të cilat nuk përputheshin me teritoret e
banuara prej arbëreshëve. Por më vonë
kjo zonë u zgjerua dhe bashkë me të
u zgjeruan edhe kufijtë teritorialë të
emërtimit Arbëri. Në shek. XII, burimet
dokumentare përfshijnë nën emërtimin
Arbëri edhe krahinat e Pultit, në veri të
lumit Drin, malsitë më veriore të Shqipërisë
së sotme, kurse në shek. XIII ato përfshijnë,
në jug edhe krahinat deri në Vjosë,
dhe më në jug akoma deri në Vlorë.
Në shek. XIV kuptimi gjeografik i Arbërisë
përfshin në veri edhe viset deri në
Ulqin, kurse në shek. XV ai u shtri në veri
deri në Tivar më vonë deri afër
Kotorrit. kurse në jug deri në Gjirokastër
e Çamëri.
Me vendosjen e tyre në tokat e ulta dhe në
luginat e brëndëshme, u rrit masa e arbëreshëve
të cilët ranë drejtpërdrejt në
kontakt me administratën shtypëse të
Perandorisë Bizantine si dhe me pushtetin shfrytëzues
të dinatëve të fuqishëm. Ata u
ngarkuan me taksat e rënda që paguanin të
gjithë fshatarët e perandorisë dhe
filluan të pësonin gjithashtu nga spekullimet
që kryenin nëpunësit e financave ose
sipërmarrësit e taksave. Ky shfrytëzim,
që vinte gjithnjë duke u shtuar, shkaktoi
pakënaqësinë e arbëreshëve
dhe i shtyti ata të merrnin pjesë në
kryengritjet që shpërthyen në shek.
XI në teritorin e Shqipërisë. Nuk është
e rastit që shqiptarët përmenden për
të parën herë në burimet historike
si pjesëmarrës në kryengritjet që
shpërthyen kundër pushtetit qëndror
bizantin.