Perandori bizantine nuk ishte në
gjendje ta forconte sundimin e vet në tokat që
pushtonte. Pasi u larguan anzhuinët, shteti sërb
i Rashës u shtri në tokat e Arbërisë
duke pushtuar edhe Durrësin. Këto lufta
morën fund përkohësisht me marrëveshjen
që u bë më 1299 midis perandorit bizantin
dhe mbretit serb, sipas së cilës kufiri
midis tyre u caktua në lumin Shkumbin. Bizantinët
kishin tani vetëm Shqipërinë e jugut,
por më 1301 ata e shtrinë përsëri
në dorë Durrësin.
Anzhuinët nuk hoqën dorë nga planet
për të rivendosur sundimin e tyre në
Shqipëri. Pas përgatitjesh të gjata,
Filipi i Tarentit, nipi i Karlit të I të
Anzhuve zbarkoi dhe pushtoi më 1304 qytetin e
Durrësit, duke mëkëmbur edhe një
herë Mbretërinë e Arbërisë.
Edhe Filipi u përpoq të tërhiqte
pas vehtes feudalët arbëreshë. Po atë
vit, Durrësit dhe shumë bujarëve arbëreshë
që banonin midis lumejve Mat e Vjosë u siguroi
privilegje të veçanta. Në një
mesazh të dërguar në shtator 1304 ai
përshëndeste prelatët e kishave, kontët,
baronët, zyrtarët, bujarët dhe qytetarët
e Shqipërisë dhe u siguronte privilegjet
e dhëna nga Karli I. Dy familjeve feudale arbëreshe,
Blinishtëve dhe Matarangëve, pas faljes
që u bëri për qëndrimin armiqësor
të mëparshëm, u siguroi tokat, zotërimet,
të drejtat dhe të gjitha pasuritë,
imunitetet, liritë dhe u dha titullin e kontit.
Këtë radhë anzhuinët emëruan
në ofiqet e larta edhe feudalë shqiptarë.
Kështu për shembull. Guljelm Blinishti,
ungji i të cilit më 1279 që burgosur
si armik i tyre, tani më 1304 u emërua mareshal
i Arbërisë. Filipi u përpoq gjithashtu
të merrte me të mire edhe bashkësitë
fshatare arbëreshe duke u premtuar edhe atyre
privilegje. Këtë radhë anzhuinët
ua respektuan deri diku privilegjet e premtuara bujarëve
arbëreshë dhe, duke parë fuqinë
e tyre politike, që gëzonin në Shqipëri
u përpoqën të mbështeteshin kryesisht
mbi ta.
Planet a anzhuinëve për të zgjeruar
sundimin në krejt Shqipërinë ranë
në kundërshtim me synimet e mbretit serb,
Uroshit të II Milutinit, në duart e të
cilit ndodheshin tokat e Shqipërisë deri
në Ishëm dhe që përdorte si Filipi
i Tarentit, titullin "mbret dhe kryezot i Arbërisë".
Këto kontradikta sollën luftën midis
tyre. Me ndihmën e papës, anzhuinët
organizuan kundër serbëve, një koalicion
të ri ku morën pjesë krahas Filipit
të Tarentit, mbreti i Hungarisë e bani i
Kroacisë. Papa u bëri thirrje peshkopëve
frëngj që kishin mbushur kishat e Shqiperisë
të ndihmonin anzhuinët. Me letra të
veçanta ai ftoi edhe bujarët arbëreshë
që ndodheshin nën sundimin e serbëve
t'i kthenin armët kundër mbretit të
Rashës, armikut të fesë, siç
e quante atë papa.
Luftimet filluan në korrik të vitit 1319.
Por shteti i Rashës u bëri ballë ushtrive
të koalicionit dhe bile mundi të pushtonte
përkohësisht edhe Durrësin.
Anzhuinët u orvatën më vonë
të organizonin një kryqëzatë të
re. Për këtë qëllim u vu përsëri
në lëvizje kleri katolik që vepronte
në Shqipëri. Kryepeshkopi i Tivarit, Guljelm
Adami, i paraqiti më 1332 mbretit të Francës
një raport i cili më vonë i është
atribuar gabimisht një murgu me emër Brokard.
Sipas tij, në ketë kryqëzatë,
rolin kryesor do ta luanin feudalët arbëreshë
të cilët mund të "nxirrnin 15
mijë kalorës burra të fortë, trima
dhe luftëtarë të mirë". Por
edhe kjo kryqëzatë dështoi.
Shteti sërb, nën sundimin e Stefan Dushanit
(1333-1355) u forcua dhe, duke përfituar nga
tatëpjeta e Perandorisë Bizantine, brenda
pak kohe mundi të shtrihej në Thesali e
Maqedoni. Ai vuri në rrezik edhe sundimin e anzhuineve
në Shqipëri. Mbreti anzhuin, Robert, sapo
hipi në fron më 1333, emëroi të
birin Karlin kapitan të Durrësit, dhe ky
në luftën kundër serbëve mbështeti
shpresat vetëm te feudalët arbëreshë.
Edhe feudalët arbëreshë nga ana e
tyre iu trëmbën rritjes së shpejtë
të fuqisë së shtetit serb, prandaj
qenë të gatshëm të merreshin vesh
me mbretin anzhuin. Për një marrëveshje
me atë qenë edhe disa bujarë, të
cilët deri atëherë kishin mbajtur qëndrim
armiqësor ndaj anzhuinëve. Në këtë
kohë në Shqipëri, nga radhët e
bujarëve, dy prej tyre luajtën një
rol të rëndësishëm. Njëri
ndër to ishte Tanush Topia, i cili i kishte pronat
midis Durrësit e Tiranës. Tjetri ishte Andrea
Muzaka, pronat e të cilit ndodheshin midis lumejve
Shkumbin e Seman.
Për të siguruar aleancën e bujarëve
arbëreshë Roberti u premtoi këtyre
më 1336 ndihmën e tij. Po atë vit erdhi
një ushtri nën komandën e djalit tjetër
të Robertit, Ludovikut, i cili bëri në
fund të vitit një marrëveshje me Andrea
Muzakën. Me këtë marrëveshje Ludoviku
i njohu Andrea Muzakës titullin e "despotit
të Arbërisë", i zotohej se do
ta mbronte nga sulmet e "rebelëve"
dhe "barbarëve" siç i quanin
malsorët dhe fshatarët që në këtë
kohë kishin ngritur krye kundër qeveritarëve
feudalë, se nuk do të lejonte asnjë
njeri të dënonte për qëndrimin
e mëparshëm armiqësor, se do të
forconte zakonet e mbretërisë së Arbërisë
me kusht që të mos ishin në kundërshtim
me ato të mbretërisë së Siçilisë.
Ai i siguroi Andrea Muzakës pronat, i premtoi
atij dhe farefisit të tij të drejtat dhe
nderet feudale. Si garanci, Ludoviku i kërkoi
që një nga djemtë a tij të qëndronte
si peng besnikërie në Durrës. Dy vjet
më vonë, më 1338, anzhuinët mundën
të afronin edhe Tanush Topinë. Karli i njohu
këtij si zotërime feudale tokat midis lumejve
Mat e Shkumbin, titullin, kont dhe një shumë
prej 1.000 në vit të ardhurat e Durrësit,
sidomos të kriporeve.
Këto masa tregonin se sundimi anzhuin në
Shqipëri varej në një shkallë
të madhe nga qëndrimi i feudalëve arbëreshë.
Në fakt, tani postet kyçe të Mbretërisë
ranë në duart e feudaleve arbëreshë,
si vasale të mbretit anzhuin.