Faqja Kryesore  >> Historia  >> Arberia
 

Historia e Shqipërisë - Arbëria

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve (1272-1286)

Konflikti i vjetër midis papëve të Romës dhe perandorëve të Gjermanisë shpërtheu rishtazi në shek. XIII. Kundër Manfredit Hohenshtaufen, që ishte mbreti i Siçilisë, papa Inocenti i IV kërkoi ndihmën e Karlit të Anzhuve, vëllait të mbretit të Francës, dhe i premtoi këtij kurorën e mbretit të Siçilisë për ta nxitur pastaj edhe kundër Perandorisë Bizantine të rimëkëmbur. Në betejen e Beneventit (1266) Karli i Anzhuve e mundi Manfredin i cili aty gjeti edhe vdekjen. Mbret i Italisë së jugut u bë Karli i Anzhuve. I nxitur nga papa, ai e hodhi menjëherë vështrimin drejt Lindjes. Para së gjithash ai u përpoq të siguronte tokat përtej Adriatikut, në bregdetin e Shqiperisë, të cilat Manfredi i kishte marrë prikë prej despotit të Epirit. Por planet e Karlit të I të Anzhuve ndeshën në vështirësi të shumta. Qytetet e bregdetit të Shqipërisë mbaheshin nga baronët e Manfredit të cilët nuk dëgjonin t'i lëshonin ato nga dora. Ai gjeti gjithashtu kundërshtimin e Mihalit të II të Epirit i cili kërkonte t'i rimerrte këto toka, si dhe atë të feudalëve arbëreshë. Pas traktativash të gjata Karli mundi të bindte më 1269 baronët gjermanë të lëshonin Korfuzin, Kaninën dhe Vlorën duke u siguruar atyre si shpërblim prona të tjera në Italinë e jugut. Në Durrës ky ndeshi në kundërshtimin e feudalëve arbëreshë. Rreth qytetit u zhvillua një konflikt i ashpër dhe i gjatë, ku morën pjesë edhe qytetarët kundër anzhuinëve. Vetëm në shkurt 1272, pas përgatitjesh të gjata diplomatike duke u garantuar në mënyrë solemne gjithë prelatëve, konteve, baronëve, pronarëve, qytetarëve dhe komuneve të Arbërisë të gjitha të drejtat dhe privilegjet, ushtria anzhuine mundi të zbriste në qytet dhe të zgjeronte sundimin përtej Durrësit.

Në tokat e pushtuara në Shqipëri Karli u përpoq t'i bënte për vehte feudalët arbëreshë duke u shpërndarë tokat e bashkësive fshatare që shfrytëzoheshin më parë nga shteti bizantin. Si shpërblim për këto toka feudalet shqiptarë ishin të detyruar t'i shërbenin atij në ushtri dhe në oborr. Por pjesën më të rëndësishme të tokave Karli u a dha feudalëve frëngj që pruri me vehte dhe që u vendosën me shumicë në Arbëri.

Gjithnjë për t'i bërë për vehte feudalët arbëreshë dhe per t'i shtuar vehtes një tjetër kurorë mbretërore, Karli i I i Anzhuve e ruajti formalisht shtetin e Arbërisë. Nga Napoli ai shpalli më 21 shkurt 1272 formimin e "Mbretërisë së Arbërisë. (Regnum Albanaie) dhe vehten e tij "Mbret të Arbërisë" (Rex Albaniae), Kufijtë e kësaj mbretërie në fillim ishin shumë të ngushtë; ata përmblidhnin tokat brenda trikëndëshit Durrës-Berat-Vlorë. Por më vonë Karli i I i zgjeroi në veri e në lindje deri te lumi Drin. Në jugëperëndim, me marrëveshjen që bëri me trashëgimtarin e despotit të Epirit, Karli mundi t'i shtrinte kufijtë e mbretërisë përtej Vlorës e Kaninës dhe përfshiu Himarën, Sopotin e Butrintin.

Kryeqendra e Mbretërisë së Arbërisë u bë Durrësi. Këtu e kishte qëndrën mëkëmbësi i Karlit si dhe mareshalli i ushtrisë anzhuine. Në çdo qytet u caktua nga një qeveritar dhe kështjellar. Shumica e funksionarëve civilë e ushtarakë qenë feudalë frëngj, pjesërisht gjermanë të mbetur nga sundimi i Manfredit dhe feudalë arabë që shërbenin si mercenarë në ushtrinë e anzhuineve.

Një mbështetje e rëndësishme e sundimit të anzhuinëve u bë kisha katolike. Bashkë me ushtritë anzhuine në Shqipëri erdhën në këtë kohë një shumicë e madhe misionarësh katolikë, françeskanë dhe dominikanë. Vendi u mbush me kuvende e manastire të cilat u ngritën jo vetëm pranë qyteteve, por edhe në fshatrat e brendëshme malore. Manastireve dhe peshkopatave katolike Karli u dhuroi mjaft toka.

Me gjithë perpjekjet e Karlit per të siguruar përkrahjen e feudalëve arbëreshë, sundimi i tij në Shqipëri nuk pati baza të qëndrueshme. Bujarët feudalë anzhuinë erdhën në Shqipëri për të grumbulluar toka dhe per të grabitur vendin. Si në Italinë e jugut ashtu edhe në Shqipëri, ata përvehtësuan toka të shumta, vendosën mbi masat fshatare shfrytëzimin feudal të perëndirnit të panjohur në Shqipëri, ngarkuan banorët e qyteteve me taksa të rënda. Mjerimin e masave të popullsisë e dëshmon perhapja e gjerë në këtë kohë e shitjes së arbëreshëve si skllevër per arësye borxhi aqë sa vetë Karli u detyrua ta ndalonte tregëtinë e skllevërve. Të gjitha këto sollën pakënaqësinë jo vetëm të masave të varfëra por edhe të vetë feudalëve arbëreshë. Më 1274 feudalët arbëreshë kryen një varg inkursionesh kundër anzhuinëve dhe arritën deri përpara Durrësit. Kështu, politika e Karlit për t'i terhequr pas vehtes feudalët arbëreshë dështoi plotësisht. Një numër feudalësh u arrestuan dhe u dërguan në Itali për t'u mbajtur si peng.

Kundër anzhuinëve, feudalët arbëreshë nxiteshin edhe nga perandori bizantin, Mihali i VIII Paleologu. Më 1275, duke përfituar nga trazirat që u shkaktuan prej sulmeve të feudalëve arbëreshë, Mihal Paleologu e mori anzhuinëve brenda pak kohe Beratin dhe arriti deri në Butrint e Himarë. I trembur nga këto sulme, Karli grumbulloi në Shqipëri forca të rëndësishme ushtarake si dhe rezerva të mëdha ushqimore dhe u përpoq të lidhte marrëveshje të veçanta me feudalët kryesorë arbëreshë. Feudalët arbëreshë i premtuan besnikëri Karlit pasi u siguruan prej tij se do t'u garantoheshin të drejtat e sundimit në feudet e tyre dhe i lëshuan pengje.

Megjithatë gjendja e sundimit anzhuin në Arbëri nuk u përmirësua. Më 1275 Mihal Faleologu arriti me ushtrinë e vet përsëri deri përpara Durrësit. Me gjithë pengjet që kishin dorëzuar dhe që mbaheshin në Itali, më 1279 në Shqipëri filloi përsëri kryengritja kundër anzhuinëve. Por, si duket, kjo nuk pati sukses. Për t'i kërcënuar feudalët arbëreshë Karli futi në burgun e kështjellës së Brindisit si "tradhëtarët" dhe "fajtorë të këqij", "me pranga të mira prej hekuri", një numër bujarësh nga familjet më të mëdha feudale të Arbërisë si dhe udhëheqësin e kryengritjes, dukën Gjin Tanushi, i cili mendohet se është i pari nga familja feudale a Dukagjinëve të mëvonshëm. Për të siguruar pozitat në Shqipëri Karli dha urdhër që të ndërmerreshin punime të mëdha fortifikimi në kalatë e Durrësit dhe Kaninës. Nga ana tjetër ai dërgoi forca të reja në Shqipëri dhe i dha urdhër mëkëmbësit të tij, Hygo de Syli, të fillonte veprimet për ripushtimin e Beratit. Në qershor 1280 filloi rrethimi i Beratit dhe në fillim veprimet luftarake u zhvilluan në favor të anzhuinëve. Por, në mbarim të vitit 1281, feudalët frëngj dhe italianë, të grumbulluar përpara Beratit, pësuan një disfatë të rëndë nga ushtria bizantine që u erdhi në ndihmë të rrethuarve.

Me gjithë disfatën, Karli i I nuk hoqi dorë nga planet e luftës kundër Bizantit. Me ndërhyrjen e papës, Martinit të IV. u organizua një aleancë e gjerë ku morën pjesë, përkrah anzhuinëve, mjaft shtete të tjera midis të cilave republika e Venedikut, Mbretëria Serbe dhe Mbretëria Bullgare. Përgatitjet për ekspeditën ishin gati, kur në mars 1282 shpërtheu në Siçili kryengritja e madhe e fshatarëve kundër feudalëve anzhuine. Kjo kryengritje, e cila ka hyrë në histori me emrin "Mbrëmësorja Siçiliane", e detyroi Karlin të tërhiqte një pjesë të ushtrive nga Arbëria dhe të hiqte dorë nga ekspedita kundër Bizantit. Sundimi i Karlit në Itali filloi të rrezikohej edhe nga mbreti i Aragonës, i cili, i shtyrë nga Bizanti, sulmoi Siçilinë.

Këto sollën dobësimin e sundimit të anzhuinëve në Shqipëri. Perandori i ri i Bizantit, Androniku i II Paleologu (1282-1328) vazhdoi sulmet për të pushtuar qytetet e tjera të vendit. Vlora, Kruja dhe Durrësi ranë një pas një në dorë të tij, gjatë viteve 1285-1286. Më 1286 anzhuinët u larguan nga Shqipëria. Tokat e saj ranë përsëri nën sundimin bizantin.

Arbëria

Ngritja e qyteteve
në shek. XII
Thema e Durrësit
në shek. XIII
Grindjet Kishëtare
në shek. XII
Arbëria në fund
të shek. XII
Principata e Arbërisë
Despotati i Epirit
Kryengritjet e arbëreshëve të shek. XII
Arbëria në vitet 1260-1270
Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve
Mbretëria e Arbërisë në fillim të shek. XIV
Arbëria nën Sundimin Serb
Kryengritjet e Malësorëve Shqiptarë
Qytetet në shek. XIV
Anarkia Feudale
Komunet Qytetare Autonome
Principata e Durrësit
Principata e Shkodrës
Despotati i Artës
Arsimi
Kështjellat
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003