Në sajë të dhuratave
dhe të privilegjeve që kishte gëzuar
për shekuj me radhë, Kisha në Shqipëri
si dhe në vendet e tjera ishte- kthyer në
një pronare e madhe tokash, pronarja më
e madhe e tokave në mesjetë. Si e tillë
ajo ishte bërë një organizatë
e fuqishme feudale e cila shfrytëzonte me mënyra
të ndryshme masat fshatare. Ajo nxirte nga fshatarët
parikë rentën feudale, merrte përsipër
mbledhjen e taksave shtetërore dhe grumbullonte
pasuri të mëdha në formën e dhuratave
që i jepnin asaj besimtarët e krishterë.
Si organizatë feudale, kisha e kishte kthyer
ideologjinë e saj në një ideologji
për mbrojtjen e gjithë rendit feudal. Në
Shqipëri në shek. XII kishte rreth 20 peshkopata.
Në fillim të shek. XII peshkopatat e Shqipërisë
veriore vareshin nga kryepeshkopata katolike e Tivarit,
ato të Shqipërisë qëndrore, nga
mitropolia e Durrësit kurse ato të Shqipërisë
jugore nga kryepeshkopata e Ohrit, këto dy të
fundit të lidhura me Patrikanën e Kostandinopojës.
Një pjesë nga të ardhurat që nxirnin,
peshkopatat dhe manastiret ua dërgonin institucioneve
më të larta.
Selitë qëndrore të të dy kishave
të krishtera, Roma dhe Kostandinopoja, ishin
të interesuara ta rritnin sa më tepër
numrin e peshkopatave që kishin në vartësi,
nga të cilat siguronin të ardhura të
mëdha. Për këtë arsye, lufta e
hapur që filloi pas mesit të shek. XI midis
dy kishave vazhdoi me ashpërsi më të
madhe gjatë shek. XII. Peshkopët, duke u
ndodhur nën kërcënimin e papës
së Romës ose të patrikut të Kostandinopojës
e ndërronin ritet sipas gjendjes politike duke
kaluar herë në anën e katolicizmit,
herë në atë të ortodoksisë.
Por në shek. XII, lufta nuk u zhvillua vetëm
midis kishave të dy riteve të krishtera,
por edhe midis vetë kryepeshkopatave të
të njëjtit rit. Nga këto, veçanërisht
e ashpër qe lufta që u zhvillua midis tri
kryepeshkopatave katolike, të Raguzës, Spalatos
dhe Tivarit për çështjen e vartësisë
së Tivarit. Në fillim Roma e lidhi kryepeshkopatën
e Tivarit me Raguzën. Kundër këtij
vendimi u ngritën peshkopët e Tivarit të
cilët kërkonin të ishin më vehte.
Këta kishin edhe përkrahjen e peshkopatave
katolike të Shqipërisë. Kundër
Raguzës u ngritën më vonë edhe
kryepeshkopët e Spalatos. Për të shuar
grindjen, në fund të shek. XI. Roma e kënaqi
Raguzën duke i dhënë asaj nën
vartësi mitropolinë e Spalatos kurse Tivarin
e bëri një kryepeshkopatë më vehte.
Këtë vendim nuk e pranuan as Raguza, as
Spalatua. Lufta midis tyre vazhdoi. Kjo e detyroi
Vatikanin të kthehej përsëri në
vendimin e parë duke i kaluar peshkopatat e Shqipërisë
nën vartësinë e Raguzës. Përpara
rezistencës së peshkopatave katolike shqiptare
papa Kalisti i II me urdhër i detyroi më
1120 peshkopët e Shqipërisë veriore
të njihnin epërsinë e Raguzës.
Më 1153 papa Anastasi IV i shkarkoi nga detyra
peshkopët e Drishtit e të Ulqinit sepse
nuk iu bindën urdhërave të Romës.
Papa Aleksandri i III mallkoi peshkopët e Tivarit
dhe Ulqinit sepse nuk e njihnin vartësinë
nga Raguza. Kjo luftë vazhdoi edhe më vonë
deri sa rreth mesit të shek. XIII. kryepeshkopata
e Tivarit u njoh përfundimisht si një kryepeshkopatë
më vehte.
Ndërkohë vazhdonte lufta edhe midis dy
kishave të krishtera. Gjatë gjysmës
së dytë të shek. XII kisha katolike
futi nën ndikimin e vet edhe peshkopin e Arbërisë
që e kishte selinë në Krujë, kurse
peshkopi i Lezhës vazhdonte të varej gjithnjë
nga mitropoliti ortodoks i Durrësit. Në
themel të këtyre lidhjeve çështja
ritit kishtar nuk luante ndonjë rol të rëndësishëm.
Për këtë na flet qartë një
raport i vitit 1167, sipas të cilit Lazari. peshkopi
i Arbërisë, e deklaroi legatëve të
papës se dëshironte të ruante, sa të
ishte e mundur, ritin orthodoks megjithëse binte
në kundështim me shumë zakone të
kishës romake.
Mbi gjendjen e klerit dhe spekullimet që ai
kryente, na flasin vendimet e sinodit të peshkopatave
katolike të Shqipërisë që u mbajt
në Tivar më 1199. Nga vendimet e këtij
sinodi del qartë se kleri ushtronte tregëtinë
e gjërave "të shenjta", spekullonte
me sekretin e rrëfimit, me ndarjen e të
dhjetave, me shugurimin e priftërijve, përvehtësonte
padrejtësisht thesarët e kishës dhe,
veç të tjerave, mbante skllevër katolikë.
Për të vendosur disiplinën kishtare
krejtësisht të çthurur, sinodi ndaloi
martesën e priftërijve katolikë, të
cilët, si duket, martoheshin njësoj si dhe
priftërijtë orthodoksë, ndaloi mbajtjen
e mjekrës, zakon që, siç dihet, është
vetëm për priftërinjtë e kishës
orthodokse. Në një gjendje jo më të
mirë ndodhej edhe kleri ortodoks. Këto dëshmojnë
nga njëra anë për degjenerimin e klerit
dhe nga ana tjetër për rrëmujën
që kishte sjellë në Shqipëri lufta
midis dy kishave.