Faqja Kryesore  >> Historia  >> Arberia
 

Historia e Shqipërisë - Arbëria

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Kryengritja e viteve 1040-1041

Pas shtypjes së shtetit bullgar (1018), në tokat e Shqipërisë u rimëkëmb përsëri administrata bizantine e mëparëshme e themave. Perandori Vasili i II shpërbleu me prona të mëdha në kurriz të fshatarëve jo vetëm institucionet kishtare, por edhe dinatët ushtarakë që morën pjesë në luftat kundër bullgarëve. Politika e re fiskale nuk bëri gjë tjetër veçse e thelloi edhe më tepër pakënaqësinë e fshatarëve. Kjo pakënaqësi u shpreh në kryengritje të shpeshta. Por lajmet që kanë mundur të arrijnë deri në ditët tona mbi këto kryengritje janë fare të pakta. Kronistët bizantinë i kanë përmendur këto kryengritje vetëm atëhere kur perandorët e Kostandinopojës ishin të detyruar të merrnin vetë drejtimin e ekspeditave ushtarake kundër tyre. Një kryengritje e tillë ishte edhe ajo e viteve 1040-1041 për të cilën na kanë dhënë lajme kronistët bizantinë të kohës, Kedrenos, Skylices, etj.

Kryengritjen e filluan më parë fshatarët bullgarë të Maqedonisë, të pakënaqur edhe këta nga zgjedha e rëndë bizantine. Kryengritësit patën për udhëheqës Peter Delianin, një nip i Samuilit, carit të bullgarëve. Që në fillim kryengritësit korrën suksese në Serbi e Maqedoni. Ata sulmuan e pushtuan Nishin e Shkupin. Deliani u shpall mbret i Bullgarisë.

Për të shtypur kryengritjen u nis edhe strategu i Durrësit, Vasil Sinodhinoj. Ndërkohë, një nga nënstrategët e tij, Mihail Dhermokaiti, duke e paditur për tradhëti te perandori bizantin, mundi t'i zinte vendin dhe të emërohej vetë strateg i Durrësit. Si strateg ai sundoi aq keq, sa brenda një kohe të shkurtër shkaktoi një kryengritje tjetër në fshatarët e themës së Durrësit, e kryesisht te fshatarët bullgarë të themes, tek të cilët, si duket, kishin ushtruar ndikimin e tyre fitoret e kryengritësve në Maqedoni. Në krye të kryengritesve këtu u vu një njeri i thjeshtë, një fshatar-stratiot, me emrin Tihomir. Edhe këtë kryengritësit e shpallën mbret, të Bullgarisë.

Brenda një kohe të shkurtër të dy kryengritjet u shkrinë në një kryengritje të vetme nën udhëheqjen e Delianit. Kronisti bizantin Kedrenos, thotë se pasi u bashkuan të dy ushtritë kryengritëse, Deliani iu drejtua kryengritësve dhe kërkoi prej tyre që për hir të një udhëheqje të vetme, të caktonin si mbret njërin prej të dyve, ndërsa tjetrin ta vrisnin. Ai që u zgjodh për mbret qe Deliani. Pas tij vajtën edhe bashkëluftëtarët e Tihomirit, i cili u vra prej tyre.

Brenda pak kohëve kryengritja u shtri edhe në vise të tiera të Ballkanit. Me ta u bashkuan edhe popullsitë vllahe e greke. Numri i kryengritësve arriti në 40 mijë vetë. Kedrenos thotë se popullsitë u hodhën në kryengritje "jo aq nga dashuria që kishin ndaj Delianit se sa nga pangopësia e tagrambledhësve". Nën udhëheqjen e Delianit kryengritësit sulmuan Selanikun, ku kishte vendosur kampin ushtarak perandori bizantin. Ky u detyrua ta braktiste të paprekur tendën e tij dhe të ikte me shrregullim të madh për në kryeqytet. Një pjesë tjetër e kryengritësve, nën udhëheqjen e Kaukanit, u drejtua në perëndim dhe pushtoi po atë vit Durrësin. Një pjesë e tretë u nis drejt jugut, për në Greqi. Kryengritësit kudo që shkuan dëbuan administratën bizantine.

Në dyert e Selanikut, me gjithë largimin e perandorit, lufta vazhdoi edhe disa kohë, deri sa me ndihmat e reja që u erdhën ushtrive bizantine, kryengritësit u thyen. Pak më vonë, Alusiani, një tjetër, nip i Samuilit, i cili ishte bashkuar me kryengritësit verboi me tradhëti Delianin dhe ua dorëzoi bizantinëve. Pas pak kohe, në sajë të epërsisë ushtarake, perandori e shtypi kryengritjen (1041).

Arbëria

Ngritja e qyteteve
në shek. XII
Thema e Durrësit
në shek. XIII
Grindjet Kishëtare
në shek. XII
Arbëria në fund
të shek. XII
Principata e Arbërisë
Despotati i Epirit
Kryengritjet e arbëreshëve të shek. XII
Arbëria në vitet 1260-1270
Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve
Mbretëria e Arbërisë në fillim të shek. XIV
Arbëria nën Sundimin Serb
Kryengritjet e Malësorëve Shqiptarë
Qytetet në shek. XIV
Anarkia Feudale
Komunet Qytetare Autonome
Principata e Durrësit
Principata e Shkodrës
Despotati i Artës
Arsimi
Kështjellat
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003