Pas përmbysjes së Perandorisë
Serbe, në krahinat e Epirit vazhdoi të qëndronte
si sundimtar Simeon Uroshi. vëllai i car Stefan
Dushanit, por ky e humbi shpejt kontrollin mbi krahinat
e veta. Feudalët serbë, grekë, arbëreshë
e vllehë hynë midis tyre në lufta të
ashpëra të cilat vazhduan disa dhjetra vjet.
Më 1358 feudalët grekë, të dëbuar
nga Epiri gjatë sundimit serb të Stefan
Dushanit, nën udhëheqjen e Niqiforit, një
pasardhës i despotëve të Epirit, u
përpoqën të ripushtonin tokat e humbura.
Por ata ndeshën tani jo vetëm në kundërshtimin
e Stefan Uroshit, por dhe të arbëreshëve.
"Arbëreshët - shkruan kronisti bizantin
i kohës, Kantakuzeni, - qenë kundër
Niqiforit -. Niqifori donte përmes rivendosjes
me përdhunë, t'i kthente feudet në
gjëndjen që ishin tetë vjet më
parë. Porse plasi shpejt një kryengritje
e arbëreshëve. Despoti Niqifor me stratiotët
e tij grekë dhe me mercenarë turq, u mund
në lumin Aheloos (Aspropotam) prej fisnikëve
arbëreshë me ushtritë e tyre që
lëviznin shpejt dhe ra i vrarë".
Kjo fitore në të vërtetë forcoi
më tepër feudalët arbëreshë
se sundimtarët serbë. Nga radhët e
bujarëve shqiptarë u shqua Gjin Bua Shpata,
zoti i Angjelokastrës në Etoli. Gjin Bue
Shpata duke e ndjerë vehten të fortë,
u shkëput nga vartësia e sundimtarit serb,
Thoma Preljuboviçit, i cili zuri vendin e vjehrrit,
Simeon Ureshit, që vdiq.
Në fillim, Thoma Preljuboviçi u mundua
t'i zhdukte pabesisht me vrasje feudalët arbëreshë,
por nuk ia arriti dot qëllimit. Kjo solli afrimin
e Gjin Bue Shpatës me Pjetër Loshën,
zotin e Artës, dhe luftën, e tyre të
përbashkët kundër sundimtarit serb.
Më 1373 Pjetër Losha e rrethoi Janinën,
qëndrën e Thoma Preljuboviçit, dhe
e rrezikoi aq sa ky, per të shpëtuar, i
premtoi Loshës miqësinë, birit të
tij vajzën e vet për grua dhe një sasi
tokash si prikë. Një vit më vonë
Pjetër Losha vdiq. Gjin Bua Shpata gjeti rast
dhe bashkoi zotërimet e veta me ato të Pjetër
Loshës. Qëndra e kësaj principate u
bë Arta. Më vonë Gjin Bua Shpata zgjeroi
sundimin në jug deri në gjirin e Korinthit
kurse në veri, deri në Gjirokastër,
sundimtari i së cilës. Gjin Zenebishi, u
fut nën vartësinë e tij.
Forcimi i Gjin Bua Shpatës solli bashkimin
kundër tij të feudalëve serbë
e grekë, të cilët me ndihmën e
forcave napolitane që ishin vendosur në
Epir e sulmuan atë, më 1379, në Artë.
Gjini i la ushtritë armike të rrethonin
kryeqendrën e tij, kurse ai vetë, me një
pjesë të forcave arbëreshe qëndroi
jashtë. Rrethimi vazhdoi gjatë, deri sa
Gjin Bua Shpata i theu armiqtë shumë keq
përpara Artës. Gjin Bua Shpata e vazhdoi
luftën kundët despotit serb të Janinës,
Thoma Preljuboviçit, i njohur, për mizoritë
që kryente ndaj arbëreshëve me mbiemrin
Albanokton (vrasës i shqiptarëve). Thomaj,
për të shpëtuar nga sulmet e Gjin Bua
Shpatës, i dha këtij motrën e vet për
grua. Por kryengritjet dhe sulmet e arbëreshëve
vazhduan. Për t'u mbrojtur nga këto sulme,
despoti serb thirri ushtritë turke që kishin
arritur në atë kohë deri në Thesali.
Sulmet e arbëreshëve u ashpërsuan edhe
pas vdekjes së Thoma Preljuboviçit, kundër
despotit të ri Esau Buondelmonte, i cili mundi
të qëndronte në këmbë vetëm
me ndihmën e ushtrive turke.
Fitoret e Despotatit të Artës i forcuan
edhe më tepër feudalët arbëreshë.
Por zhvillimi i mëtejshëm i këtij despotati,
sikurse edhe ai i principatave të tjera, u pengua
nga turqit të cilët në këtë
kohë kishin pushtuar Maqedoninë e Thesalinë
dhe filluan të invadonin teritoret e Shqipërisë.