Për kishën orthodokse, e
cila nuk e përdorte skulpturën, piktura
u bë gjinia e artit ku ajo u përpoq të
mishëronte ideologjinë e saj, që kishte
për qëllim t'ua largonte vëmendjen
masave popullore nga jeta materiale e kësaj bote,
nga shfrytëzimi i tyre i përditëshëm
dhe t'ua drejtonte vëmëndjen te e ashtuquajtura
"mbretëri qiellore". Për këtë
arsye në pikturën kishtare bizantine sundoi
me rigorozitet spiritualizmi dhe dogmatizmi, që
janë karakteristika të stilit bizantin.
Sipas këtij stili, të krijuar nga kisha
dhe nga fryma autoritare e pushtetit të rëndë
aristokratik, në pikturë duhej të paraqiteshin
kryesisht Krishti, "Shën Mëria",
etërit e kishës, vargu i gjatë i "shënjtoreve".
Veç kësaj, këto figura paraqiteshin
si asketë, me ndjenja të përgjumura
ose të shtypura ku mungonte përshtypja e
materjes, vartësia logjike, plasticiteti, pesha,
etj. Kanonet bizantine e ndalonin rreptësisht
artistin të përdorte fantazinë e tij
krijuese.
Prodhimet e këtyre shekujve janë në
përgjithësi prodhime të piktorëve
murgj ose laikë të lidhur pas kishës.
Emrat e tyre ne nuk i njohim pasi deri në shek.
XIV-XV në Perandorinë Bizantine piktorët
nuk u vinin nënshkrimin në veprat e tyre.
Zakonisht piktori mjeshtër kishte një punishte,
ku punonin nën udhëheqjen e tij disa piktorë
ndihmës ose nxënës, të cilët
merrnin pjesë në pikturimin e një portreti
ose skene duke plotësuar hollësitë
e dorës së dytë.
Përveç tematikës kishtare, në
pikturat paraqiteshin edhe perandorë, mbretër,
princër me familjet e tyre si ktitorë të
kishave, disa prej të cilëve janë kanonizuar
si shenjtorë.
Pikturat mesjetare më të lashta janë
ikonat në dërrase ose pëlhurë
të ngjitur në dërrasë, por fushën
e zhvillimit të saj më të lartë
piktura e gjeti në afresket. Gjatë këtyre
shekujve u përhap edhe piktura në miniature,
në dorëshkrimet prej pergameni e letre.
Pikturat më të lashta që ruhen edhe
sot në Shqipëri konsiderohen afresket e
"Shën-Stefanit" dhe të "Shën-Mitrit"
në kishën e Dhërmiut (Himarë)
si dhe afresket në gungoren e vjetër të
kishës së Shelbuemit në Rubik, të
cilat konsiderohen si të shek. XII. Por këto
janë shumë të dëmtuara.
Një vlerë të veçantë
nga pikëpamja artistike kanë afresket e
shek. XIV që ruhen në kishën e Ristozit
të Mborjes, në atë të Maligradit,
në atë të Shën-Triadhës në
Berat, në kishën e Shën-Mërisë
së Apollonisë, etj., por edhe këto
janë pjesërisht të dëmtuara nga
riparimet e mëvonëshme. Në një
gjendje pak a shumë të mirë është
afresku i familjes së perandorit bizantin Andronikut
të II Paleologu pikturuar në hajatin e kishës
së Apollonisë. Androniku, ktitori i kishës,
është paraqitur me petkun e pasur perandorak
dhe me aureolë në krye. Një vlerë
të madhe kanë afresket e kishës së
Maligradit, të cilat janë ekzekutuar, me
një stil të pastër bizantin dhe me
një kolorit të pasur. Edhe këtu është
pikturuar në anën e jashtme të portës
ktitori i kishës, Qezar Novaku, i panjohur nga
burimet historike si sundimtar i këtyre krahinave.
Si Novaku ashtu dhe familja e tij janë veshur
me stoli princore; sakoja e Qezarit është
e stolisur me shkabë dy krenare të përfshirë
brenda medaljoneve.
Edhe në ikonat artisti duhej të respektonte
të gjitha kërkesat e kanoneve bizantine.
Ikonat e këtyre shekujve ndonse nuk kanë
datë, dallohen nga ato të shekujve të
tjerë, mbasi ato janë shumë besnike
ndaj stilit bizantin. Një nga ikonat më
të bukura nga pikëpamja e ekzekutimit artistik
është ajo e "Shën Mëhillit"
që ndodhet në kishën e Shën-Mërisë
në Mborje.
Nga piktura në miniaturë e këtyre
shekujve në Shqipëri kanë mbetur fare
pak objekte. Janë në përgjithësi
piktura "shenjtorësh" në miniaturë,
pikturuar në faqet e dorëshkrimeve të
vjetra. sidomos të kodekseve të Beratit
e të Gjirokastrës.