Në shek.XI Perandoria Bizantine
u zhyt në një krizë të thellë
ekonomike e politike. Me varfërimin e fshatarëve
të ardhurat e thesarit shtetëror u pakësuan,
aftësia mbrojtse e shtetit u dobësua dhe
kontradiktat e brendëshme midis klasave u shtuan.
Nëpër provinca, administrata shtetërore
ishte degjeneruar. Aristokracia ushtarake provinciale
ishte rritur si një fuqi politike dhe përpiqej
të pastronte rrugën për pushtet në
luftë kundër burokracisë feudale të
kryeqytetit. Për të pakësuar ndikimin
e saj në ushtri pasardhësit e Vasilit të
II, Kostandini i VIII, (1025- 1028) dhe Romani i III,
(1028-1034), bënë një rindarje të
trupave ushtarake, sipas së cilës ushtarët
e rekrutuar në Ballkan dërgoheshin për
të luftuar në Azinë e Vogël dhe
ata të Azisë së Vogël në
Ballkan për të qënë larg kontaktit
me vendin e tyre. Por edhe kjo masë nuk dha rezultat.
Perandorët bizantinë u orvatën të
kapërcenin edhe krizën ekonomike-financiare.
Për t'i siguruar thesarit shtetëror të
ardhura, u bënë ndryshime në politikën
fiskale. Detyrimet kryesore që më parë
fshatarët i paguanin në natyrë, shteti
bizantin tani i kërkonte në të holla.
Kjo i detyronte fshatarët t'i shisnin prodhimet
a tyre me çmime të ulta për të
paguar taksën në kohën e caktuar. Perandoria
lejoi gjithashtu të zëvëndësohej
shërbimi ushtarak me një taksë të
veçantë në të holla që
do të përdorej nga po randorët për
të përballuar mbajtjen e mercenarëve
të huaj. Me këtë masë qeveria
bizantine synonte gjithashtu të mos i shkëpuste
tërë fshatarët nga punët e bujqësisë
pasi Bizanti ndiente në këtë kohë
një nevojë të madhe për prodhime
bujqësore. Pas hambarëve të dikurshëm
të drithit si Mesopotamia, Egjypti, që kishin
rënë prej kohësh në duart e arabëve,
gjatë shek. XI Bizanti humbi zotërimet e
veta në Italinë e jugut, të cilat kaluan
në duart e normanëve. Nga veriu atë
po e shtrëngonin peçenegët. Pjesa
më e madhe e Azisë së Vogël ra
në duart e turqve selxhukë, të cilët
formuan aty një shtet të fuqishëm.
Turqit selxhukë, duke prerë rrugët
që lidhnin perandorinë me Lindjen, i dhanë
gjithashtu një goditjie të rëndë
tregëtisë së Bizantit. Kufìzimi
i marrëveshjeve tregëtare solli edhe krizën
në prodhimet të zejtarisë. Në
shek. XI popullsitë e ndryshme të nënshtuara
prej perandorisë, si armenët, serbët,
zunë të shkëputeshin prej saj të
krijonin shtete feudale më vehte dhe të
armiqësoheshin me të. Aristokracia ushtarake
provinciale, duke e ndjerë vehten të fortë
filloi luftën e vet me anë kryengritjesh
të armatosura dhe komplotesh brenda në pallatin
perandorak të Kostandinopojës, për
të marrë pushtetin në dorë. Gjatë
viteve 1025-1081 në Bizant sunduan 10 perandorë,
pjesa më e madhe e të cilëve u shfronëzua
me anë komplotesh e kryengritjesh. Gjatë
shek. XI kryengritjet e aristokracisë ushtarake
provinciale u gërshetuan me ato të popullsive
të shtypura. Një pjesë e këtyre
kryengritjeve u zhvillua edhe në teritorin e
Shqipërisë.