Faqja Kryesore  >> Historia  >> Arberia
 

Historia e Shqipërisë - Arbëria

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Qytetet në shek. XIV

Gjatë shek. XIV qytetet e Shqipërisë arritën në kulmin e zhvillimit të tyre që njohën gjatë mesjetës. Në krye të tyre qëndronte gjithnjë Durrësi, i cili kishte rreth 25 mijë banorë, dhe ishte një nga qytetet e mëdha të këtij shekulli. Ky zhvillim erdhi si pasojë e rritjes së ekonomisë së tyre, kryesisht e zhvillimit të zejtarisë.

Në zejtarinë e metalurgjisë dalloheshin pothuaj të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sidomos në Shkodër, Drisht, Vlorë, kovaçët përpunonin hekurin dhe prodhonin me të vegla bujqësore, si plore, plugje, shata, gozhda. Vlora qe e dëgjuar për zejtarët e shpatave. Në Shkodër e Ulqin prodhoheshin këmbana. Në Shkodër kishte zejtarë që punonin arin e argjendin. Nallbanët arbëreshë qenë të dëgjuar edhe në Itali për mënyrën e mbathjes së kuajve (ferrare al modo albanese). Zejtarët punonin edhe plumbin që importohej nga Serbia.

Edhe zejtaritë e veshmbathjes qenë të zhvilluara. Gati në çdo qytet kish lëkurëxhij, gëzoftarë e tabakë. Burimet përmendin saraçë dhe sidomos këpucëtarë e opingarë. Zejtarët punonin leshin dhe prodhonin shajakë e guna. Për prodhimin dhe punimin e mëndafshit qenë të përmendur Durrësi, Vlora, Berati, Shkodra, Drishti e Pulti. Në qytetet e Shqipërisë kishte zejtarë rrobaqepës që dinin t'i qepnin mirë petkat e t'i qëndisnin bukur me gajtana e me ar.

Veç këtyre kishte një numër zejtarish të tjera. Dokumentet përmendin poçarët e Drishtit, marangozët e Balezit, qirixhijtë e Lezhës. Zejtarët gurëskalitês qenë të përmendur në Durrës. Këta kërkoheshin edhe nga qytetet e huaja. Edhe gdhendësit e drurit dhe punuesit e argjendit qenë të dëgjuar. Nëpër qytetet kishte furrtarë dhe kasapë. Në qytetet bregdetare të përmendur qenë zejtarët që përgatisin ceragat e putargat që eksportoheshin jashtë Shqipërisë. Kripa e Shqipërisë qe e dëgjuar jashtë vendit, sidomos kripa e bardhe e Durrësit. Kripë prodhohej gjithashtu në Lezhë, Ulqin. Vlorë. Në qytetet bregdetare, sidomos në grykat e lumejve, kishte edhe kantiere për ndërtim anijesh të vogla. Në qytete kishte gjithashtu restorante e taverna.

Mbi organizimin e brendshem të punishteve zejtare në këta shekuj lajmet mungojnë krejtësisht. Burimet arkivale i përmendin zejtarët me emrin e pëgjithshëm artizanë pa na dhënë hollësira mbi madhësinë e punishteve të tyre, mbi numrin e krahëve të punës të lidhur në një dyqan zejtari. Nuk ka dyshim se në një pjesë të ketyre punishteve punonte vetëm mjeshtri zejtar pranë të cilit qëndronte shpesh herë edhe ndonjë çirak. Por kishte edhe punishte ku pranë mjeshtrit të zejes punonin edhe një e më teper çirakë, të cilët në dokumentet mesjetare përmenden me emrin guntorë (lavoratori).

Me shtimin e numrit të zejtarëve u shtua edhe numri i korporatave dhe i shoqatave zejtare. Ne njohim nga kjo kohë disa korporata, të cilat, siç ishte zakoni në mesjetë, mbanin emrin e një "shenjtori" dhe a konsideronin ketë si patronin e tyre (për shembëll: korporata e Shën-Gjergjit, Shën-Mërisë, Shën-Mërkurit, etj.).

Zhvillimi i prodhimit zejtar solli në Shqipëri edhe rritjen, e tregëtisë. Zejtarët merreshin zakonisht edhe me shitjen e prodhimit të tyre në të njëjtin lokal ku punonin. Por me tregëtinë e brendëshme dhe të jashtme merreshin tani edhe persona të shkeputur nga prodhimi zejtar, të cilët përshkonin me anijet e tyre Adriatikun e Mesdheun për të blerë prodhime nga jashtë ose per të shitur prodhimet e Shqipërisë.

Nga vendet e huaja zakonisht importoheshin cohëra të vyera, armë, stoli prej ari, verë e mirë, sheqer, piper, kallaj, xhama, pasqyra dhe, në vitet me korrje të këqia, drithë. Kurse nga Shqipëria eksportoheshin lëndë ndërtimi prej pishe, vidhi, e sidomos dru dushku prej pyjeve të bregdetit. Eksportohej mëndafsh, vaj, bagëti, lëkurë, gezofë, peshk, ngjala, putarga, ceraga të kripura, ullij, kripë, valanidhë, shqeme, dyllë. Në vitet me korrje të bollshme eksportohej edhe drithë.

Në sajë të zhvillimit të tregëtisë përveç qyteteve të mëparëshem, të cilat u rritën edhe më tepër, gjatë bregdetit u ngritën gjithashtu një varg skelash të reja ku ngarkoheshin e shkarkoheshin anijet shqiptare e të huaja. Një rëndësishme ishte Shirgji në breg të Bunës, afër Obotit të sotshëm, me magazina për depozitimin e mallrave, sidomos të kripës. Më në jug ishte skela e Shëngjinit, e njohur në mesjetë me emrin skela e Medës dhe, pranë kësaj, skela e Shufadasë, kurse më poshtë skela e Rodonit. Midis Durrësit e Vlorës kishte një varg skelash të tjera, si Bashtova në grykën e Shkumbinit, Pirgu në atë të Semanit, Spinarica në grykën e Vjosës.

Tregëtia e jashtme u zhvillua sidomos me Republikën e Venedikut dhe me Raguzën. Tregëtarët arbëreshë i rrihnin me guxim detet që rrezikoheshin nga piratët dhe shkonin në lindje deri në Egjypt e Siri, kurse në perëndim deri në krahinat e zhvilluara të Flandrës. Për të lehtësuar tregëtinë me Shqipërinë shtetet e huaja më të interesuara krijuan agjensi tregëtare në qytetet e bregdetit. Nga këto Republika e Venedikut, e cila kishte vendosur konsujt e saj qysh në shk. XIII në Durrës (1249), e Spinaricë (1277), tani dërgoi konsuj edhe në VIorë (1359) e në Ulqin (1370). Raguza dërgoi gjithashtu përfaqësues të saj në Spinaricë (1301) e në Shkodër (1395). Edhe tregëtarët e mëdhej arbëreshë kishin agjensi të tyre në Venedik, Raguzë, Selanik.

Por zhvillimi i qyteteve u pengua në përgjithësi nga vete sistemi feudal. Ato u dëmtuan nga sundimi i huaj, siç ishte sundimi bizantin, anzhuin e serb, si dhe nga sulmet e bandave të organizuara shpesh herë nga vetë feudalët. Veç kësaj karvanet ishin të detyruara të paguanin taksa sa herë kalonin kufijtë e qyteteve ose të zotërimeve të feudalëve. Për të kapërcyer barrën e rëndë të doganave shpesh herë qytetet lidhnin marrëveshje të veçanta me njëri tjetrin për liri doganash. Marrëveshje të tilla përmenden më 1305 midis Durrësit dhe qyteteve të Italisë jugore, Barit, Brindizit dhe Tranit, më 1372 midis Vlorës, Durrësit, Raguzës dhe Ankonës, etj.

Zhvillimi ekonomik i qyteteve, rritja e zejtarisë dhe tregëtisë e thelloi edhe më tepër diferencimin shoqëror të banorëve të tyre. Banorët qytetarë dalloheshin nga pozita e tyre ekonomike e shoqërore në klasa dhe shtresa të ndryshme në popullore, qytetarë e fisnikë.

Në radhët popullorëve (sipas burimeve latine: populares) bënin pjesë shtresat e varfëra të qytetit: kallfët, çirakët e punishteve zejtare, puntorët e krahut, detarët, që punonin në anijet e pronarëve të pasur, hamejtë, etj. Radhët e tyre shtoheshin vazhdimisht me fshatarë të shpronësuar ose me bujkrobër të arratisur të cilët vinin në qytetet për punë si mëditës të thjeshtë.

Në radhët e qytetarëve (cittadini) hynin shtresat e mesme të qytetarëve, zakonisht ata që kishin një pronë ose pasuri të vogël pronarët e vegjël e të mesëm të punishteve zejtare të shtëpive, të anijeve, tregëtarët e vegjël. punëtorët specialistë, mjeshtrit muratorë etj. Këta përbënin shimicën e popullësisë së qytetit.

Në shtresën e lartë, në atë, të fisnikëve (nohiles) sikurse quheshin në atë kohë, hynin qytetarët e pasur dhe bujarët feudalë të qytetit, pronarët e punishteve të mëdha zejtare dhe të anijeve me shumë vela, tregëtarët e mëdhenj, pronarët e pasur të tokave të juridiksionit të qytetit. Këta përbënin një pakicë të popullsisë dhe formonin aristokracinë e qytetit. Një nga familjet aristokrate qe ajo e Spanëve, në fillim tregëtarë të pasur në Shkodër, pastaj pronarë të mëdhej tokash në Shkodër e Drisht. Për t'u dalluar nga shtresat e tjera këta mbanin tituj fisnikërie, të tillë si titullin bizantin "zot" (kyr) ose titullin anzhuin "kalorës" (miles) dhe "kalorës fisnik" (nobilis miles) më vonë titullin venedikas "ser", etj.

Fisnikët dalloheshin nga klasat e tjera, jo vetëm nga pasuria por edhe nga pozita shoqërore, nga privilegjet dhe të drejtat politike që gëzonin. "Popullorët" nuk gëzonin asnjë të drejtë politike. Përkundrazi, si njerëz të varfër, dhe të prapambetur nga mungesa e plotë e arsimit, këta përbuzeshin nga klasat e tjera. "Qytetarët", të cilët më parë gëzonin disa të drejta politike, tani i kishin humbur shumë nga këto të drejta. Tani funksionet më të larta politike në qytetet kaluan në duart e fisnikëve.

Në shek. XIV banorët e qyteteve paguanin një numër më të madh taksash se më parë. Përveç taksave të vjetra ata paguanin tani maldenarin për mirëmbajtje,ose meremetimin e mureve të qytetit, taksa të veçanta për masat, peshat dhe kandarët, për bagëtinë, kullotën dhe peshkimin. Pronarët e tokave paguanin tani edhe sokun a brokun. Për çdo produkt që hynte në qytet për t'u shitur paguhej taksa e doganës, pavarësisht në se vinte me anije nga deti ose me karvane nga toka. Qytetarët ishin të detyruar të bënin roje në qytet sidomos natën dhe me punë angari të ndërtonin muret e qytetit. Mbledhja e taksave dhe e doganave bëhej me anë sipërmarrësish.

Por këto taksa nuk rëndonin mbi të gjithë qytetarët. Duke shfrytëzuar pozitën e tyre të privilegjuar fisnikët u a ngarkonin barrën kryesore të taksave "qytetarëve" dhe "popullorëve".

Rritja e rolit ekonomik e politik të qyteteve u kishte dhënë këtyre mundësinë të fitonin qysh më parë disa të drejta në vetadministrimin e tyre edhe në kushtet e sundimeve të huaja. Këto të drejta qenë sanksionuar edhe me dekretet që u kishin dhënë qyteteve perandorët bizantinë të cilat u konfirmuan edhe prej Stefan Dushanit. Këto vazhdonin të administroheshin nga "këshilli i qytetit". Ky drejtonte në përgjithësi jetën publike të qytetit. Por në krye të këshillave qëndronin gjithnjë qeveritarët (prirorët ose kontët) e emëruar nga mbretërit a huaj. Këta qeveritarë kishin në dorë pushtetin suprem mbi administratën civile. ushtarake e gjyqësore. Ata nxirrnin ligje të reja, abrogonin ligje të vjetra, anullonin vendimet e gjyqit, dërgonin përfaqësuesin e tyre në kolegjin e gjykatësve. Qeveritarët kishin pranë tyre ndihmës, një gardë të armatosur, noterin, perkthyesin, sekretarë kujdestarë etj.

Përveç qeveritarit, në qytete kishte një varg funksionarësh të tjerë të lartë. Një nga këta ishte kapitani, (komandanti i milicisë së qytetit) detyrë të cilën shpesh herë e mbante vetë qeveritari, pastaj vinte kështjellari (komandanti i kështjellës). Në krye të policisë së qytetit ishte kalorësi. Aparatin financiar e drejtonte kamerari. Qytetet bregdetare kishin komandantin e limanit, protontinin, kurse flota e qytetit admiralin e vet, i cili kishte për detyrë të mbronte anijet tregëtare nga piratët.

Çështjet civile e penale gjykoheshin nga kolegji i gjykatësve të qytetit. Ky kolegj zgjidhej nga këshilli i qytetit, por gjatë sundimeve të huaja, ai nuk mund të merrte asnjë vendim pa qenë aty i pranishëm përfaqësuesi i qeveritarit. Sundimtarët e huaj nuk arritën dot të zhduknin traditën e zgjedhjes së gjykatësve. Çështjet civile që i takonin kishës, si shkurorëzimet, shkeljet e kurorës, grabitjet e vajzave, gjykoheshin nga kryeprifti i qytetit.

Qytetet kishin stemën dhe vulën e vet. Qytetet më të rëndësishme si Shkodra, Ulqini, Tivari, prenë për disa kohë dhe monedhat e tyre.

Arbëria

Ngritja e qyteteve
në shek. XII
Thema e Durrësit
në shek. XIII
Grindjet Kishëtare
në shek. XII
Arbëria në fund
të shek. XII
Principata e Arbërisë
Despotati i Epirit
Kryengritjet e arbëreshëve të shek. XII
Arbëria në vitet 1260-1270
Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve
Mbretëria e Arbërisë në fillim të shek. XIV
Arbëria nën Sundimin Serb
Kryengritjet e Malësorëve Shqiptarë
Qytetet në shek. XIV
Anarkia Feudale
Komunet Qytetare Autonome
Principata e Durrësit
Principata e Shkodrës
Despotati i Artës
Arsimi
Kështjellat
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003