Faqja Kryesore  >> Historia  >> Arberia
 

Historia e Shqipërisë - Arbëria

   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
   
 

 


 

Ngritja e qyteteve në shek. XII

Zhvillimi i forcave prodhuese, që rriti prodhimin bujqësor çoi njëkohësisht në përmirësimin e teknikës së zejtarëve, të cilët e shkëputën nga bujqësia dhe në krijimin e degëve të veçanta të zejtarive. Këtë e favorizoi edhe mundësia që kishin tani fshatarët të shkëmbenin pjesën e tepërt të prodhimeve bujqësore e blegtorale me prodhimet e zejtarëve. Kështu, bashkë me prodhimin zejtar u rrit edhe shkëmbimi tre-gëtar i cili tani filloi të bëhej nëpërmjet parasë. Në këte drejtim ndikoi edhe politika fiskale e shtetit bizantin, i cili në gjysmën e parë të shekullit XI e zëvendesoi taksën në natyrë të fshatarëve me taksë në të holla. Këtë zhvillim e favorizoi gjithashtu gjallërimi që zuri të merrte lëvizja tregëtare në të dy brigjet e Adriatikut ku u krijuan qytete të rëndësishme tregëtare, më parë Amalfi, pastaj Venediku, i pasuar pak më vonë prej Raguzës, Spalatos etj., të cilat filluan të zhvillonin marrëdhënie tregëtare me bregdetin e Shqipërisë. Të gjitha këto përgatitën kushtet kryesore të ngritjes së qyteteve mesjetare në Shqipëri.

Njohuritë tona mbi prodhimin zejtar dhe shkëmbimet tregëtare në Shqipëri në shek. XI-XII pothuajse mungojnë krejtësisht. Por burime të tërthorta na lejojnë të pohojmë se në këta shekuj u shtua numri i zejtarëve dhe filluan marrëdhëniet tregëtare brenda për brenda krahinave të Shqipërisë si dhe midis qyteteve bregdetare të Adriatikut. "Rruga mbretërore": që lidhte Durrësin me Selanikun dhe me vetë Kostandinopojën, filloi të gjallërohej. Këtej kalonin karvanet e tregëtarëve të huaj që merrnin pjesë në panairin e madh të Selanikut. Panaire zhvilloheshin në këtë kohë edhe në Shqipëri. Ana Komnena përmend rastin e normanëve të cilët, më 1081, organizuan në afërsitë e Vlorës "shumë" panaire për tu dhënë rastin ushtrive të tyre të blinin sende me "shumicë të madhe". Po atë vit, perandori bizantin Aleks Komneni i njohu Venedikut privilegje të zhvillonte tregëti të lirë në Durrës, Vlorë dhe vise të tjera të bregdetit të Jonit, si shpërblim për ndihmën që i kishte dhënë në luftën kundër normanëve. Kështu, qysh nga pjesa e fundit e shek. XI, Republika e Venedikut e drejtoi vëmendjen e vet ndaj qyteteve bregdetare të Shqipërisë në Adriatik e Jon dhe krijoi me ta marrëdhënie që vazhduan gjatë gjithë shekujve të mesjetës. Në fund të shek. XII. perandori bizantin Aleksi i III Komneni njohu gjithashtu venedikasve, me një krisobulë të veçantë (1199), privilegje të reja për tregëtinë e tyre jo vetëm në krahinat bregdetare të Durrësit, Jerikos, Himarës. Kaninës, por edhe në krahinat e brendëshme të Dropullit (Drynupolis), Devollit, Kolonjës e Janinës. Në shek. XII u zgjeruan gjithashtu marrëdhëniet tregëtare midis Shqipërisë dhe Republikës tregëtare të Raguzës.

Kështu pak nga pak një varg qëndrash të banuara filluan të humbisnin karakterin e tyre të mëparshëm administrativ-ushtarak ose thjeshtësisht fshatar. Ato u bënë dalëngadalë qëndra të rëndësishme ekonomike ku u grumbulluan zejtarët e tregëtarët. Disa nga këto qytete qenë vazhdim i qyteteve antike si Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Drishti, të cilat për shumë shekuj e kishin humbur rëndësinë e mëparëshme. Por tani filluan të lindin edhe qytete të reja të panjohura më parë. Këto u ngritën ose gjatë rrugëve kryesore, si Shasi (Svaçi), Dêja (Danja), Devolli, ose pranë kështjellave të ngritura në shtigje e vende strategjike Kruja, Dibra, Kanina, Shurdhahu (Sarda), Berati (Beligradi). Disa nga qytetet antike si Apollonia, Foinike, Amantia, pas rënies që pësuan gjatë mesjetës së herëshme, nuk u mëkëmbën më asnjëherë. Nga këto, qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë në shek. XII vazhdonte të ishte Durrësi, kryeqendra e themës. Gjeografi arab, i këtij shekulli, Al-Idrizi, e përmend më 1153 Adrashin (Durrësin) si një qytet tregëtar të lulëzuar me shumë dyqane. Ai përmend gjithashtu edhe Labunën (Vlorën) si një skelë ku zhvillohej një lëvizje jo e vogël tregëtare.

Qytetet qenë të mbyllura brenda kështjellave të tyre. Nga kështjellat e kësaj kohe ne njohim më mirë atë të Durrësit, sipas një përshkrimi që na ka dhënë Ana Komnena në veprën e saj "Aleksiada". Ajo na e përshkruan gjendjen e kështjellës së Durrësit në fund të shek. XI ashtu siç ishte ndërtuar në fillim të shek. VI. "Muri i kështjellës - shkruan shkrimtarja bizantine - mbahet dhe mbështetet mbi pirgje. Këto pirgje ngrihen rreth qytetit me një lartëtesi prej 11 këmbësh (afërsisht 4 metra). Të ngjiturit bëhet me anë veglash të posaçme të quajtura kërmij dhe sipër fare ato janë siguruar me anë kullash të vogla. . . Muri është mjaf i trashë dhe pikërisht aq sa katër e më shumë kalorës mund të kalojnë njëkohësisht". Përmbi mur ishte ndërtuar, nga ana e perëndimit, kulla (pretorion-i) ku rrinte strategu. Nga ana e lindjes ishte një portë e madhe dhe përmbi të qëndronte një statujë e vjetër prej bronxi e një kalorësi antik: prej kësaj kishte marrë emrin "Porta e Kalorësit". Disa qytete me prejardhje të lashta si Drishti, Ulqini etj. kishin akoma mbeturina të kolonistëve të vjetër romakë. Në qytete të tjera, si në Durrës e Tivar, u vendosën rishtas tregëtarë venedikas raguzanë, çifutë, grekë e sllavë. Në qytetet e zonës së Shkodrës kishte banorë sllavë, në Vlorë banorë grekë. Një nga qytetet me popullsi thjesht arbëreshe ishte Kruja, kryeqendra e Arbërisë mesjetare. Por ne të gjitha qytetet e Shqipërisë, palcën e popullsisë e përbënin banorët arbëreshë. Numri i tyre vinte përherë duke u shtuar.

Popullsinë kryesore të qyteteve që linden në ketë kohë e përbënin zejtarët, të cilët pjesërisht ishin pasardhës të banorëve mëparshëm, pjesërisht ishin fshatarë të larguar nga fshatrat e tyre për të shpëtuar nga detyrimet e rënda që i paguanin feudalëve. Në qytete zejtarët ishin të organizuar në korporata. Në Durrës korporatat quheshin edhe tani kolegje si në kohën antike, ndoshta sepse këtu u ruajtën, në mënyrë të pandërprerë traditat e vjetra. Korporatat e qyteteve shqiptare të kësaj kohe njihen edhe me termat bizantine systima, synergasia etj. Korporatat kishin monopolin mbi një zeje të caktuar. Ato lindën si organizata të zejtarëve të cilët kishin nevojë të bashkoheshin per të mbrojtur pronën dhe interesat e tyre të përbashkëta nga grabitjet e e feudalëve, nga konkurenca dhe nga rreziqet e tjera të ndryshme. Zejtaria dhe organizimi i saj u kushtezua nga gjithë sistemi i marrëdhënieve feudale që sundonin në këtë kohë. "Strukturës feudale të pronësië së tokës i përgjigjej në qytetet prona korporative, organizimi feudal i zejtarisë".

Në shek. XII, në qytetet kishte akoma një shumicë banorësh që merreshin me bujqësi. Tokat e tyre këta banorë i kishin jashtë mureve të kështjellës brenda një zone e cila konsiderohej pronë e qytetit. Kjo zonë përfshinte shpesh herë edhe ndonjë fshat të afërt. Pronat e qytetarëve kishin karakterin e bashtinave.

Çdo qytet administrohej nga "këshilli i qytetit" (në dokumentet latinishte "kuria", në ato greqishte "vulefterion"). Këshilli zgjidhej nga qytetarët. Por në krye të këshillit qëndronte përfaqësuesi i pushtetit perandorak, që ishte kryetari i administratës civile, komandanti i milicisë së armatosur dhe gjykatësi i qytetit. Në Durrës dhe në Krujë kryetari i qytetit quhej prior, në Tivar dhe në Ulqin komes ose kont, në qytetet e tjera të Shqipërisë së veriut mbante titullin primas. Kur qytetet e Shqipërisë ranë nën sundimin e Mbretërisë, serbe. të Rashës, ai përmëndet në dokumente me tituj jaran ose setnik. Në qytetet e rëndësishme ai kishte ndihmës një oficer për milicinë dhe judikatorin për gjyqin. Priorët vareshin nga duka i themës.

Qytetarët kishin një numër detyrimesh ndaj shtetit. Këta, si edhe fshatarët, paguanin taksën "rogi" , të cilën e merrte duka. Veç kësaj, pronarët e tokave që ndodheshin në afërsitë e qytetit, paguanin taksën e tokës që quhej shkurtimisht akrostiku. Detyrime të tjera të qytetarëve ishin tatimi mbi të ardhurat (dacium), taksa për tym (census), tributi etj.

Rritja e rolit ekonomik të qyteteve solli dalëngadalë rritjen e rolit të këshillit të qytetit. Në ushtrimin e funksioneve të këshillit e krijuan me kohë disa kanune që u sanksionuan nga tradita. Qysh në shek. XIII priorët, megjithëse të emëruar nga duka i themës, detyroheshin të betoheshin para këshillit të qytetarëve për të respektuar kanunet që morën dalëngadalë formën e statuteve ose të privilegjeve. Aty nga gjysma e dytë e shek. XII, perandori bizantin Manuel Komneni u njohu disa qyteteve të Shqipërisë privilegjin që të administroheshin sipas kanuneve të veta. Ky proçes çoi, me rritjen e mëtejshme të qyteteve, në forcimin e qyteteve autonome të organizuara në komune, të cilat u çfaqën gjatë shek. XIII.

Arbëria

Ngritja e qyteteve
në shek. XII
Thema e Durrësit
në shek. XIII
Grindjet Kishëtare
në shek. XII
Arbëria në fund
të shek. XII
Principata e Arbërisë
Despotati i Epirit
Kryengritjet e arbëreshëve të shek. XII
Arbëria në vitet 1260-1270
Mbretëria e Arbërisë e Anzhuinëve
Mbretëria e Arbërisë në fillim të shek. XIV
Arbëria nën Sundimin Serb
Kryengritjet e Malësorëve Shqiptarë
Qytetet në shek. XIV
Anarkia Feudale
Komunet Qytetare Autonome
Principata e Durrësit
Principata e Shkodrës
Despotati i Artës
Arsimi
Kështjellat
Arkitektura
Piktura


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003